Bashkimi Evropian ka humbur besueshmërinë lidhur me reagimin e saj ndaj veprimeve të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze, tha të hënën vonë ministrja e Jashtme e Irlandës, Helen McEntee, transmeton Anadolu.
Duke folur në New York përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, McEntee u kërkoi vendeve anëtare të BE-së të veprojnë kolektivisht për të bërë presion ndaj qeverisë izraelite, sipas transmetuesit irlandez RTE.
“Ne duhet të veprojmë kolektivisht. Ne po dështojmë këtu, të jem mjaft e sinqertë”, tha ajo.
“Besueshmëria jonë është zhdukur për këtë çështje dhe nëse nuk veprojmë kolektivisht, atëherë vendimet e qeverisë izraelite nuk do të ndryshojnë”, tha kryediplomatja irlandeze.
McEntee tha se Irlanda po kërkon sanksione në mbarë BE-në ndaj mallrave dhe shërbimeve izraelite, duke theksuar se masat kombëtare të vetëm do të kishin ndikim të kufizuar.
Legjislacioni irlandez që ndalon importet e mallrave izraelite me origjinë nga territoret e pushtuara palestineze hyri në fuqi këtë javë, tha ajo, duke shtuar se masa e Dublinit ka inkurajuar vendet e tjera që të konsideronin legjislacion të ngjashëm.
“Ndërsa ne kemi marrë vendime, ne kemi njohur Palestinën dhe më shumë vende e kanë bërë këtë. Ne kemi zbatuar legjislacionin tonë dhe vendet e tjera po flasin për të bërë të njëjtën gjë; ne kemi vendosur sanksione ndaj individëve nuk mjafton”, tha ajo.
“Ne duhet të përgjigjemi në mënyrë më efektive dhe më kolektive. Që legjislacioni të ketë një ndikim, ai duhet të bëhet në një bazë të gjerë të BE-së”, theksoi McEntee.
Pozicioni i Irlandës është i qartë se Izraeli po shkel ligjin ndërkombëtar, tha McEntee duke shtuar: “Ne po shohim një përpjekje për të fshirë një popullsi”. E pyetur për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare të futbollit midis Irlandës dhe Izraelit, ministrja tha se individët duhet të vendosin vetë nëse do t’i shikojnë ato.
Ajo theksoi se qeveria irlandeze do të mbetet e fokusuar në marrjen e “veprimeve më konkrete” për të mbështetur palestinezët në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

