Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Prizren ku është takuar me komunitetin turk në Kuvendin Komunal në këtë qytet, me të cilët ka bashkëbiseduar rreth ushtrimit të së drejtës së lirisë së lëvizjes në zonën Schengen, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim, i cili ishte në kuadër të fushatës së informimit për liberalizimin e vizave nga 1 janari 2024, morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi dhe deputetët nga radhët e komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës, Enis Kervan dhe Fidan Jilta.
Përtej përfitimeve për bizneset e studentët, artistët e sportistët, liberalizimi i vizave, siç tha kryeministri, ka edhe një dimension njerëzor sepse duke qenë se 1/3 e qytetarëve janë në mërgatë, liberalizimi jep mundësinë për të mos munguar në momentet më të çmueshme të jetës e për të qenë aty për njëri-tjetrin në kujtimet që zgjasin gjatë gjithë jetës.
Duke ritheksuar kriteret për lëvizje të lirë, siç janë pasaporta biometrike, udhëtimi vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve, informata dhe dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, dëshmi se ku do të qëndroni gjatë vizitës, si dhe dëshmi të mjaftueshme financiare e biletë kthyese, kryeministri Kurti bëri thirrje që kjo arritje të shfrytëzohet me përgjegjësi.
“Progresi demokratik dhe ekonomik në fillim të mandatit, e sidomos arritjet në sundimin e ligjit, në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, menaxhimin e azilit e riatdhesimit, e kanë ngritur lart imazhin e Republikës së Kosovës dhe i kanë bindur edhe më skeptikët brenda Bashkimit Evropian që më në fund të marrin vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Pra, kjo arritje është arritje e përbashkët, pasi progresi i shënuar nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qytetarëve”, u shpreh Kurti.
Fushata e informimit për liberalizim të vizave inicuar nga Qeveria, ka filluar me 5 tetor në Prishtinë dhe ka vazhduar tutje në mbi 30 komuna të Kosovës, përfshirë këtu edhe 4 komunat në veri të vendit.
Qytetarë nga shumë komuna të Kosovës kanë marrë materiale të shtypura informimi në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe rome.