RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeministri Rama për banorët e prekur nga përmbytjet: Do t’i qëndrojmë çdo detyrimi ndaj tyre

kryeministri-rama-per-banoret-e-prekur-nga-permbytjet:-do-t’i-qendrojme-cdo-detyrimi-ndaj-tyre

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me banorët e prekur nga përmbytjet e fundit ka deklaruar se do t’i qëndrojnë çdo detyrimi ndaj tyre, raporton Anadolu.

Nën drejtimin e kryeministrit Rama u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u diskutua mbi situatën e krijuar nga moti i keq i ditëve të fundit.

Rama theksoi se deri tani në rang vendi janë numëruar 1.587 banesa në praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje dhe sipas tij prania e ujit është konstatuar në 13.211 mijë hektarë tokë bujqësore, ndërkohë janë përmbytur edhe disa qendra shëndetësore apo objekte arsimore.

“Kjo është një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye që lidhet me vendin tonë, por ka prekur një hartë të tërë; nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë dhe deri lart në Serbi e Kroaci; nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë dhe të njëjtat përmbytje e bllokime kanë krijuar të njëjtën situatë të rënduar në tërësi për njerëzit”, tha Rama.

Rama tha se dëshiron t’i sigurojë edhe të dëmtuarit e kësaj here se “ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë”.

Ai tha se puna intensive dhe mobilizimi i pa ndalur ku është nevoja e të gjitha strukturave të shtetit, si dhe e bashkive do të vazhdojë e pandërprerë “deri në kapërcimin e kësaj situate të rënduar meteorologjike”.

“Ne kemi një hartë të qartë veprimi në programin e Shqipërisë 2030 për të rritur rezistencën e infrastrukturës në tërësi, karshi këtyre fenomeneve dhe Ministria e Mbrojtjes, duke u inkuadruar në kornizën e re të vendosur nga NATO, ka pjesë të funksionimit të saj dhe elementin pikërisht të qëndrueshmërisë, që lidhet drejtpërdrejtë me infrastrukturën kritike dhe këtu jemi në kushtet kur flasim për infrastrukturën kritike”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Shqipëria është përfshirë në ditët e fundit nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje në disa qytete, ndërkohë është shënuar edhe një i vdekur.

Situata më problematike me reshjet e shiut dhe përmbytje u raportua në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe tokë bujqësore.

Related posts

Mbyllet përkohësisht një pikë kufitare në Kosovë

admin

Zelenskyy pas takimit me Macronin: Ukraina ka nevojë për “asistencë reale” krahas diplomacisë

Muhamet Ramadani

Maqedonci tregon arsyen e mos ekspozimit të mjeteve të rënda

Muhamet Ramadani