RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeparlamentari Gashi: Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj procesit të anëtarësimit në BE

kryeparlamentari-gashi:-maqedonia-e-veriut-mbetet-e-perkushtuar-fuqimisht-ndaj-procesit-te-anetaresimit-ne-be

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka deklaruar se vendi mbetet i përkushtuar fuqimisht ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke e cilësuar atë si nxitësin kryesor të reformave, sundimit të ligjit dhe forcimit të institucioneve, transmeton Anadolu.

Delegacioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut po merr pjesë në Asamblenë e 152-të të Unionit Ndërparlamentar, e cila po mbahet nga 15 deri më 19 prill 2026 në Stamboll.

Delegacioni udhëhiqet nga Kryetari i Kuvendit dhe shef i Delegacionit në Unionin Ndërparlamentar, Afrim Gashi, dhe përfshin deputetët Nikolla Micevski, Oliver Spasovski, Bekim Qoku, Boban Karapejovski, Arbana Pasholli dhe Jovana Mojsoska, si dhe Sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit, Marina Dimovska.

Tema kryesore për diskutim në Asamble është “Kultivimi i shpresës, konsolidimi i paqes dhe sigurimi i drejtësisë për brezat e ardhshëm”.

Gashi mori pjesë në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së 152-të të Unionit Ndërparlamentar, ku theksoi se bota po përballet me sfida serioze, duke përfshirë presione mbi demokracinë, një numër të madh konfliktesh dhe thellim të pabarazive socio-ekonomike.

Ai iu referua gjithashtu Marrëveshjes së Prespës, duke e cilësuar atë si shembull të zgjidhjes së suksesshme të kontesteve afatgjata përmes dialogut, guximit politik dhe respektit të ndërsjellë.

Në fjalimin e tij, kryeparlamentari theksoi se Kuvendi po punon në mënyrë aktive për përmirësimin e procesit legjislativ, përmes futjes së vlerësimeve të ndikimit dhe konsultimeve gjithëpërfshirëse me të gjitha palët e interesuara.

Ai shtoi se theks i veçantë po i vihet transformimit digjital dhe përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes masave për uljen e varfërisë, forcimin e tranzicionit energjetik dhe adresimin e sfidave ekologjike.

Duke iu referuar rolit të të rinjve, Gashi theksoi se pjesëmarrja më e madhe e tyre në proceset politike është e nevojshme për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe adekuat të brezave të ardhshëm.

Pritet që, pas përfundimit të debatit të përgjithshëm, Asambleja e 152-të të miratojë dokumentin përfundimtar mbi këtë temë.

Related posts

Siria dhe Iraku raportojnë më shumë lëkundje termeti

Muhamet Ramadani

Reduktime të rrymës sot dhe nesër, njoftim me rëndësi nga KOSTT

Muhamet Ramadani

Osmani flet për Bloomberg, falënderon Trump-in për mbështetjen e paqes në Ballkan

admin