Kryerabini sefardik izraelit, Yitzhak Yosef bëri thirrje për një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me grupet palestineze në Gaza, edhe nëse ajo është në këmbim të lirimit të mijëra palestinezëve, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës “Yedioth Ahronot”, kryerabini Yosef mori pjesë në funeralin e një prej të burgosurve izraelitë që u gjet i vdekur në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.
Duke folur për mediat pas funeralit, Yosef tha: “Duhet bërë gjithçka për të shpëtuar njerëzit e rrëmbyer, përfshirë lirimin e qindra apo mijëra njerëzve”. Ai nënvizoi se ata duhet të punojnë me të gjitha forcat e tyre për të rikthyer të gjitha pengjet në Gaza.
Në deklaratën e bërë dje nga ushtria izraelite thuhet se në një tunel në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës janë gjetur trupat e 6 të burgosurve izraelitë.
Platforma e formuar nga familjet e të burgosurve izraelitë në Gaza kohët e fundit kishte mbajtur përgjegjës kryeministrin, Benjamin Netanyahu, për vdekjen e 6 të burgosurve izraelitë, i cili “insiston në vazhdimin e pushtimit të Korridorit të Filadelfit në vijën kufitare Gaza-Egjipt dhe minon marrëveshjet e shkëmbimit të të burgosurve”.
Negociatat kanë vazhduar mes palëve për një kohë të gjatë për të ndaluar sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, të cilat kanë vazhduar që nga 7 tetori 2023. Nenet që Izraeli i shtoi draft-marrëveshjes dhe veçanërisht këmbëngulja e tij për të mbajtur kontrollin mbi Korridorin e Filadelfit në vijën kufitare Egjipt-Gaza, i vështirësojnë negociatat.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 40.700 ndërsa numri i të plagosurve në 93.800.