Ankande, magazina dhe biznesi i bagazheve të humbura
Momenti kur një pushim kthehet në problem, ka shpesh zhurmën monotone të një rripi transportues që vazhdon të sillet sa lart-poshtë pa sjellë valixhen e pritur. Pasagjerët e tjerë largohen me bagazhet e tyre, ndërsa në rrip mbeten vetëm disa valixhe që askush nuk i njeh.
Por në shumicën e rasteve, valixhja nuk është zhdukur. Ajo mund të ketë mbetur në aeroportin e nisjes, të ketë humbur lidhjen me fluturimin tjetër, të jetë ngarkuar në një avion tjetër ose të ketë vazhduar udhëtimin drejt destinacionit pa të zotin.
Sipas raportit SITA Baggage IT Insights 2026, në vitin 2025 udhëtuan me avion rreth 5 miliardë njerëz dhe 24 milionë bagazhe u trajtuan në mënyrë të parregullt, duke përfshirë valixhet e vonuara, të dëmtuara ose të humbura. Shifra ra me 23 për qind brenda një viti, por kostoja për industrinë ajrore ishte ende rreth 6.3 miliardë dollarë.
Rrugëtimi i padukshëm i një valixheje
Që në momentin e dorëzimit në check-in, valixhja pajiset me një etiketë me kod identifikues që e lidh me pasagjerin, fluturimin dhe destinacionin. Më pas ajo kalon nëpër një rrjet shiritash transportues, skanerësh, sistemesh automatike dhe punonjësish.
Sipas rregullave të IATA-s, bagazhi duhet të gjurmohet në disa pika kyçe: kur dorëzohet nga pasagjeri, kur ngarkohet në avion, gjatë transferimit dhe kur dorëzohet në destinacion. Problemet shfaqen sidomos gjatë tranzitit, ku edhe një vonesë prej pak minutash mund të bëjë që pasagjeri të arrijë avionin e radhës, ndërsa valixhja jo.
Kur bagazhi nuk shfaqet, pasagjeri duhet të plotësojë para largimit nga aeroporti Property Irregularity Report (PIR). Të dhënat futen zakonisht në WorldTracer, sistemi global që krahason raportimet e pasagjerëve me valixhet e gjetura në aeroporte të ndryshme.
Kërkimi nuk bazohet vetëm te kodi i etiketës. Përdoren edhe itinerari, mbiemri i pasagjerit, lloji i valixhes dhe përshkrimi i saj. Kur identifikohet, ajo klasifikohet si ‘rush bag’ dhe dërgohet në destinacionin e pasagjerit, zakonisht me fluturimin e parë të mundshëm dhe më pas me korrier.
Pajisje si AirTag mund të ndihmojnë për të treguar vendndodhjen e përafërt të valixhes, por nuk zëvendësojnë procedurën zyrtare dhe nuk i japin pasagjerit të drejtë të hyjë në zonat e kufizuara të aeroportit.
Pas 21 ditësh, valixhja konsiderohet e humbur
Konventa e Montrealit, përcakton se një bagazh mund të konsiderohet i humbur pas 21 ditësh nga data e parashikuar e mbërritjes. Kjo nuk do të thotë se në ditën e 22-të valixhja hidhet apo shitet automatikisht.
Kompania ajrore mund të vazhdojë kërkimet dhe ta transferojë valixhen në magazina qendrore. Nëse etiketa është shkëputur, punonjësit mund ta hapin për të kërkuar dokumente, adresa, fatura ose të dhëna të tjera që mund të çojnë te pronari.
Prandaj, një letër me emrin, numrin e telefonit dhe emailin brenda valixhes mund të jetë shumë e dobishme nëse humbet etiketa e jashtme.
Nga valixhja e humbur te ankandi
Kur dështon çdo përpjekje për identifikimin e pronarit, fati i valixhes ndryshon sipas vendit dhe kompanisë. Ajo mund t’u shitet operatorëve të specializuar, të dërgohet në ankand, të dhurohet, të riciklohet ose të asgjësohet.
Një nga rastet më të njohura është Unclaimed Baggage në Alabama të SHBA-së. Kompania blen valixhe që konsiderohen përfundimisht të humbura, pa e ditur paraprakisht se çfarë përmbajnë.
Ato hapen, kontrollohen dhe përzgjidhen. Rrrobat pastrohen, pajisjet elektronike fshihen, ndërsa sendet që mund të shiten dalin në treg.
Megjithëse ideja e “valixhes misterioze” krijon fantazi për bizhuteri dhe sende luksoze, shumica e bagazheve përmbajnë gjëra krejt të zakonshme: rroba, këpucë, karikues, suvenire dhe produkte higjiene.
Pra një valixhe mund të zhduket nga jeta e pronarit pa u zhdukur realisht. Për javë të tëra ajo mund të skanohet, fotografohet, zhvendoset dhe kërkohet, derisa më në fund të humbasë lidhjen me personin që e kishte përgatitur për udhëtim dhe të kthehet në një kosto për kompaninë, një çështje sigurimi ose një mall që blihet nga një i panjohur. /tesheshi

