Kryeministri Albin Kurti të martën është takuar në Prishtinë me presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes të Turqisë, Haluk Gorgun, me të cilin ka diskutuar mundësinë për bashkëpunim në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht prodhimin e municioneve.
Në takim Kurti u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërsa në takim ishte edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
“Fillimisht, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovës. Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
E ministri Maqedonia ka falënderuar Turqinë për kontributin e jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë vazhdimisht Republika e Turqisë, kontribut për të cilin ne jemi mirënjohës e falënderues. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje të ngrisim kapacitetet e ushtrisë sonë duke bashkëpunuar me aleatët tanë. Zhvillimi i ushtrisë sonë është dhe do të jetë gjithnjë në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, këto janë vlerat tona, të cilat i kemi kultivuar dhe iu kemi qëndruar besnik gjithnjë”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.