Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se pas përfundimit të procesit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore, prioritet i institucioneve do të jetë konstituimi sa më i shpejtë i legjislaturës së re. Ai theksoi se zgjedhja e presidentit ose presidentes së vendit nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e partive opozitare.
Kurti ka theksuar se fillimisht duhet të përmbyllet i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë shqyrtimin e mundshëm të ankesave dhe certifikimin e rezultateve, përpara se të nisin procedurat për formimin e institucioneve të reja.
“Po përmbyllet procesi i numërimit të të gjitha votave dhe duhet të presim edhe disa ditë. Pas certifikimit, synimi ynë është që pa humbur kohë të kalojmë në fazën e konstituimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të. Sa më shpejt që të jetë e mundur, aq më mirë”, u shpreh ai.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit ose presidentes, Kurti vlerësoi se nevojitet konsensus më i gjerë politik, duke kujtuar se sipas interpretimit aktual kushtetues kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë për të siguruar kuorumin e nevojshëm.
Ai ritheksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta përmbyllur e vetme këtë proces dhe se bashkëpunimi me opozitën mbetet i domosdoshëm.
“Ne do të përpiqemi të ndërtojmë sa më shumë bashkëpunim me opozitën për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri në detyrë tha se edhe në të kaluarën partia e tij ka bërë oferta konkrete për bashkëpunim, por sipas tij ato janë refuzuar nga partitë opozitare. Ai përmendi si shembull ofertat për bashkëqeverisje, të cilat, sipas tij, nuk kanë gjetur mbështetje

