RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti sërish ua përmend ndërkombëtarëve premtimin për Listën Serbe

kurti-serish-ua-permend-nderkombetareve-premtimin-per-listen-serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përmendur sërish premtimin e Bashkësisë Ndërkombëtare se do të sigurojnë që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet komunale të prillit në katër komunat veriore, nëse do të pranohej Aneksi i Ohrit.

Kurti nëpërmjet një videoje të publikuar në “Facebook”, ka thënë në gjuhën serbe se një gjë e tillë nuk ndodhi edhe pse atëkohë u zgjat afati i regjistrimit të partive .

“Më vjen keq që na është dashur të mbajmë zgjedhje në katër komuna në veri me një pjesëmarrje aq të ulët. Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, duke shpresuar se Lista Serbe do të merr pjesë. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse ne pranojmë Aneksin e Ohrit, ata do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Më 17 mars të këtij viti e kemi zgjatur edhe për pesë ditë afatin e regjistrimit të partive. E gjithë kjo për asgjë. Kam menduar se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka fituar një milion euro dhe dy banesa në Beograd. Ndoshta nuk është e saktë, por gjithsesi duhet të jetë presion tepër i madh apo ofertë tepër luksoze, që e ka shtyrë Jabllanoviqin të thotë se ai nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë”, është shprehur Kurti.

Duke përmendur sulmin dhe kidnapimin e tre policëve kosovarë në veri nga forcat serbe, gjuajtjen ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe sulmet ndaj gazetarëve, për të cilat ka thënë se janë të patolerueshme, Kurti ka thënë se nuk është për luftë dhe është kundër saj.

“Një shoqëri demokratike dhe liberale nuk duron dot kulturën e të të dhunshmëve. Aleksandar Vuçiq sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur edhe një luftë. Në të njëjtën kohë, ai është garancia juaj që vitet ’90 nuk do të bëhen të kaluara. Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë i burgosur lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe ndryshe nga sot, ai kishte pushtet madje pa detyrime, sepse të gjithë përgjegjësinë e mbante Millosheviqi”, ka shtuar Kurti.

Më tej, kreu i ekzekutivit ka thënë se i sheh të nevojshme takimet në Brusel për zbatim urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është edhe Aneksi i Ohrit.

“Tani e kam të qartë se presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar, e tani ankohet dhe pendohet që ka thënë PO, që e ka pranuar atë marrëveshje, që do të thotë njohje de facto të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Related posts

Prokuroria: Shtabi dënonte “kolaboracionistët” dhe “tradhëtarët”

admin

FOTO/ Përplasje me armë zjarri mes tifozëve jashtë stadiumit në Greqi! Mediat: Janë plagosur tre persona, më shumë se 70 të tjerë u arrestuan

admin

Asambleja Evropiane jep detaje rreth hapave të ardhshëm që duhet të ndërmarrë Kosova për anëtarësim në KiE

admin