Lëvizja Vetëvendosje të dielën do të mbajë zgjedhjet e saja të brendshme. Kryetari aktual, njëherësh kryeministri Albin Kurti do të garojë edhe për një mandat katërvjeçar. Për herë të parë këtë vit, në LVV u themeluan edhe organet e reja, Gratë për Vetëvendosje dhe Rinia për Vetëvendosje.
Për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje kandidaturën e vetme e ka vendosur kryetari i saj aktual Albin Kurti.
Ai në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje ka shpalosur sot programin e tij prej dhjetë pikësh për mandatin e ri 4-vjeçar në krye të kësaj partie, e cila pritet të konfirmohet përmes votave më 25 shtator. Por para se të fillonte programin ai e thumboi opoziten duke thënë se po, zgjedhjet ka në shtator, por në VV.
“Sot kërkoj mirëbesimin tuaj edhe për katër vjet të tjera në krye të LVV-së në prag të zgjedhjeve të së dielës të 25 shtatorit. Platforma ime programore për periudhën 2022-2026, është mbështetur në dhjetë pika themelore. E para është rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja, e dyta është rritja e anëtarësisë së grave dhe vajzave, e treta është krijimi i kohezionit midis brezave, grupeve shoqërore dhe botëkuptimore. E katërta, forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv të saj, e pesta promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat, e gjashta përgatitja e burimeve njerëzore e programore për zgjedhjet lokale 2025, e shtata përgatitja e platformës politike për mandatin e dytë qeverisës, e teta rritja e qendrave të LVV në mërgatë, e nënta, angazhimi i studentëve në LVV dhe e dhjeta bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ai jashtë shtetit dhe brenda”, tha Kurti.
Para delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje sot janë shpalosur edhe platformat e dy organeve të reja të kësaj partie, ajo e Grave për Vetëvendosje, të cilën pritet ta drejtojë Albulena Haxhiu, dhe ajo e Rinisë, të cilën pritet ta drejtojë Behar Jashari.
Duke prezantuar kandidaturën e saj, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu se gruaja në Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë faktor i patejkalueshëm, i cili nuk e sheh pushtetin si mjet për shtypje, por për barabarësi për të gjithë.
“Vetë themelimi i Grave për Vetëvendosje është paramenduar si përpjekje për të krijuar hapësira që gratë e vajzat të jenë të përfaqësuara në strukturat e LVV dhe ato të bashkërendohen edhe në mandatet qeverisëse. Sot nuk jemi të kënaqura me përfaqësimin e tij, por duhet të jemi krenarë se nga kanë ardhur ky përfaqësim, sikurse krijimi i kuotës. Ky rezultat është puna e grave dhe vajzave të LVV-së ndër vite, që kanë folur me megafon, kanë organizuar lagjen, konviktin, vajzat e gratë, kanë mbajtur qëndrimin politik, kanë drejtuar institucionet, janë arrestuar disa herë, kanë denoncuar aferat politike dhe kanë kërkuar çerdhet, siguri dhe drejtësie. Këto janë gratë e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu.
Ajo tha se platforma e saj parasheh tri shtylla, si emancipimi gjinor që do të krijohet përmes shkollave verore feministë, do të luftojnë për përfaqësim të barabartë për të gjitha gratë në strukturat e Vetëvendosjes.
Shtylla e dytë e platformës ka të bëjë me rritjen e aktivisteve në Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mundëson rritjen e numrit të grave në këtë parti.
Adresimi i sjelljes dhe gjuhës seksiste, Haxhiu tha se do të jetë shtylla e tretë e platformës, e cila parashikon që asnjë rast i seksizmit të grave dhe vajzave të mos mbetet i pandëshkuar.
Kandidaturën për të parin e Rinisë për Vetëvendosje, e shpalosi Behar Jashari.
Ai tha se rinia ka luajtur një rol të rëndësishëm që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Rritja e shtrirja e LVV-së, aktivitete dhe puna vullnetare dhe anëtarësimi në Rininë e kësaj partie do të jenë synimet e tij gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.
Ndryshe, LVV të dielën do t’i mbajë zgjedhjet e saj të brendshme për të katërtën herë me radhë. Kjo lëvizje në vitin 2005 e mori emrin Lëvizja Vetëvendosje dhe në zgjedhjet e para të brendshme të saj, Albin Kurti u zgjodh kryetar. Këtë post ai e mbajti për gati një dekadë.
Në mars të vitit 2015, ky subjekt mbajti për herë të dytë zgjedhjet e brendshme me Visar Ymerin si kandidat të vetëm për kryetar partie. Pas mosmarrëveshjeve që rezultuan në largimin e disa figurave të rëndësishme brenda LVV-së, ndër ta ishte edhe Imeri, i cili dha dorëheqje.