Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga gara për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Kurti, përmes një postimi në “X”, ka thënë se Biden ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës, teksa shtoi se njoftimi për tërheqjen e tij shënon fundin e një epoke, shkruan teve1.info
Tutje Kurti u shpreh se bota e veçanërisht Kosova është një vend më i mirë dhe më i sigurt për shkak të kontributeve të Bidenit.
“Joe Biden ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe avokatët më të palodhur. Njoftimi i Presidentit Biden shënon fundin e një epoke. Bota — dhe veçanërisht Kosova — është një vend më i mirë dhe më i sigurt për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës”, ka shkruar Kurti.