Qeveria jonë po e trajton me përkushtim të lartë këtë pjesë të trashëgimisë sonë. Bashkëpunimi ynë me partnerët zhvillimorë dhe komunitetin po sjellë rezultate të prekshme.
Pas një dekadë zvarritje, kanë përfunduar punimet në Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë. Një nga asetet kapitale të vendit, Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren po i nënshtrohet restaurimit të tërësishëm. Pas ndërhyrjeve me karakter shpëtimi, kemi nisur përgatitjet për hartimin e projektit të konservimit për Xhaminë e Mazhiqit në Mitrovicë. Derisa para disa muajsh në Dunav të Gjilanit kemi inauguruar xhaminë e restauruar që mban emrin e një figure të madhe si Mulla Idris Gjilani, në anën tjetër, punimet janë drejt finalizimit në njërën nga xhamitë më të vjetra, atë të fshatit Drenoc në Deçan.
Ndërhyrje restauruese kemi zhvilluar edhe në Hamamin e qytetit në Mitrovicë, Teqen e Sheh Litës dhe Teqen e Sheh Banit në Gjakovë, Xhamitë në Velekincë, Llovcë, Gërmovë e Carrabreg, Xhaminë e Osman Efendisë dhe Tyrben në Novobërdë. Në procedurë janë hartimi i projekteve të restaurimit për Xhaminë e Suudi Efendisë në Prishtinë, Xhaminë e Qokut në Junik dhe rrënojat e xhamive në Burojë e Orllan.
Përmes programit të restaurimit po mbrojmë vlerat e trashëgimisë fetare dhe po i vëmë në shërbim të komunitetit dhe vizitorëve.