Sfida që do ta përcjellin ekzekutivin gjatë këtij vit janë të mëdha, po vlerësojnë ekspertët. Sipas tyre, shëndetësia, ekonomia, energjia, por edhe ikja e të rinjve nga vendi, janë problemet me të cilat do të duhej të merrej Qeveria urgjentisht.
Analist politik Fidan Ukaj, ka thënë për Ekonomia Online se kryeministri Albin Kurti duhet ta bëjë riformatimin e Qeverisë, duke ndërruar disa ministra. Ai ka përmendur problemet në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pastaj gjendjen në shëndetësi e furnizimin me energji elektrike.
“Unë mendoj që Qeveria e Kosovës ose kryeministri i vendit duhet një pjesë të Qeverisë së vet ta riformatizojë, t’i ndërrojë disa ministra të cilët nuk kanë qenë produktiv deri më tani, një prej tyre është edhe Ministria e Punëve të Jashtme, probleme shumë të mëdha kemi në sektorin e shëndetësisë, kemi të energjisë, pothuajse të gjithë sektorët janë me problem”, tha Ukaj.
Ai ka shtuar se ka parë lëvizje të sinqerta nga Qeveria për zgjidhjen e gjendjes së mjerueshme siç e quan ai, duke shtuar se kërkohet një strategji e qartë për çdo sektor.
“Qeveria e Kosovës nuk e di a e ka një strategji për dalje nga kjo gjendje krize që i ka kapluar me inflacion shumë të lartë qytetarët e Kosovës. Ne kemi parë disa lëvizje që unë mendoj se nuk janë të sinqerta për shtyrjen përpara të Ligjit për Paga, duke krijuar probleme edhe brenda për brenda ligjit edhe duke e ditur që ky ligj do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të vonohej, do të shkojë në pafundësi deri te aprovimi i këtij ligji, mirëpo unë mendoj se rritja e pagave për punonjësit që punojnë nëpër institucione shtetërore, më pastaj gjetja e një zgjidhje edhe për shëndetësinë pasi kemi një gjendje të mjerueshme në sistemin shëndetësor dhe vetëm hartimi i një strategjie për të gjithë sektorët dhe nxjerrja e Kosovës nga kjo gjendje e mjerueshme që është sot, do të ishte një zgjidhje që deri më tani nuk e kemi parë nga Qeveria e Kosovës”, tha Ukaj.
Ndërkaq, analisti Shemsi Jashari, theksoi se Qeveria duhet të ketë dialog të mirëfilltë me Odat ekonomike dhe me bizneset që gjeneratat e reja të mos largohen nga vendi.
“Përmirësimin kryesor mendoj që do të duhej ta kishte Qeveria është që të hapë dialogun e mirëfilltë me akterët e në këtë rast me odat ekonomike, me bizneset e mëdha të studiojnë se cila do të ishte qasja më e mirë që bizneset të mund të rimëkëmben edhe të krijojnë vende të punës që punëtorët, sidomos gjenerata e re të mos e sheh si të vetmen alternativë migrimin jashtë Kosovës”, ka thënë Jashari.
Ai potencoi se marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë fokusi kryesor i Qeverisë, në mënyrë që sipas tij, të zgjidhet njëherë e mirë kjo punë.