Përveç krizës globale, Shqipëria po përballet me largimin e rinisë drejt vendeve të tjera. Në Kongresin Kombëtar të Arsimit, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se për t’iu përgjigjur kësaj sfide, janë hartuar disa politika si ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe bursat e studimit.
“Në Shqipëri, po përballemi edhe me një sfidë tjetër, një tendencë me të cilën në fakt po përballet i gjithë rajoni ynë ballkanik. Një pjesë e të rinjve largohen nga rajoni, për studime apo për punësim, drejt vendeve perëndimore, si Gjermania, por jo vetëm, vende të cilat, duke qenë drejt plakjes së popullsisë, e duke pasur nevoja në rritje në tregun e punës, kanë hapur dyert për të rinjtë tanë, veçanërisht për mjekët, infermierët, por edhe profesione të tjera të kohës.
Për t’iu përgjigjur kësaj tendence, ne kemi hartuar disa politika të reja, siç është: ndërkombëtarizimi i universiteteve, si dhe financim shtesë, për programe studimi të përbashkëta e të dyfishta me universitete prestigjioze në BE, por edhe për struktura ekselence evropiane, që mund të jenë departamente, fakultete, qendra kërkimore. Qëllimi ynë është për të rritur cilësinë, dhe për t’i dhënë më shumë vlerë diplomave tona, njësoj si në universitetet më të mira të BE-së. Po ashtu, një tjetër politikë është edhe përcaktimi i programeve të studimit prioritete për zhvillimin e vendit, si dhe bursa studimi ndër më të lartat ndonjëherë për këto programe, siç janë bujqësia, mësuesia, shërbimet, turizmi, me kushtin që studentët pas diplomimit të vazhdojnë të qëndrojnë këtu, në Shqipëri. Të japin kontribut për vendin e për njerëzit tanë”, tha Kushi.
Për ministren, ngritja e kërkimit shkencor në një nivel të ri është një tjetër sfidë e arsimit, ndërsa për arsimin parauniversitar, fokusi theksoi ajo duhet të jetë digjitalizimi.
“E ndërkohë kërkimi shkencor. Sfidat që përmenda që në hyrje të fjalës sime, e bëjnë të domosdoshme ngritjen e tij në një nivel të ri. Pa dyshim që duhen më shumë financime, më shumë mbështetje, por mbi të gjitha duhet një qasje e re. Deri më sot, universitetet janë aktorët më të rëndësishëm në këtë proces, me projektet e tyre kërkimore, me pjesëmarrjen në programet ndërkombëtare, bashkëpunime, shkëmbime dhe partneritete me institucione të huaja, ku për hir të së vërtetës, ka rezultate shumë të mira. Në këtë drejtim, ne i kemi të gjitha mundësitë që të bëhemi shembull pozitiv edhe në rajon, për thithjen e fondeve nga BE-ja për arsimin dhe kërkimin shkencor.
Megjithatë, edhe këtu besoj se duhet bërë shumë më tepër. Ka ardhur koha që vetë bizneset të jenë më të përfshira, me aktive, madje pse jo edhe katalizator i këtij procesi, duke bashkëvepruar ngushtë me institucionet e arsimit të lartë.
Edhe në sistemin arsimor parauniversitar, sfidat janë të mëdha, për të arritur që nxënësit tanë të përfitojnë aftësitë e reja të shekullit 21, të bëhen profesioniste të mirë, punonjës të suksesshëm dhe qytetarë të denjë të së ardhmes.
Kemi investuar në inftrastrukturën shkollore, kemi përmirësuar kurikulat, tekstet shkollore, trajnimin e mësuesve, mirëqenien psiko-sociale te nxënësve, mbështetjen për nxënësit me aftësi ndryshe. Por kryefjalë në politikat tona, dhe fokusin më të veçantë, jam e bindur që duhet ta ketë pa diskutim digjitalizimi”, theksoi Kushi.
Kongresi i Arsimit i cili do të jetë në datat 12 dhe 13 shtator, përqendrohet në “sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian”, dhe ka për qëllim të bashkojë në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. /a2