Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka quajtur të dobishëm takimin e sotëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Përmes një postimi në Twitter ka thënë se me Vuçiqin kanë rënë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Gjithashtu ka përmendur edhe nevojën për përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne ramë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të depërshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në postimin e Lajçakut.
Vuçiqi është takuar sot edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Nga ky i fundit është kërkuar që Kosova dhe Serbia sa më shpejt të fillojnë me zbatimin e marrëveshjeve dhe të përmbahen nga tensionet.