Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT) ka larguar nga puna sinjalizuesin që kishte folur për dyshimet për dallavere me rezervën shtetërore, Ermal Kutllovci.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ai në një postim në Facebook ku ka paraqitur edhe vendimin e Ministrisë për largimin e tij nga puna.
Kutllovci ka shkruar se ndëshkimi disiplinor ndaj tij u bë për shkak të ngritjes së zërit kritik brenda institucionit, siç ka shkruar, krejtësisht në mbrojtje të ligjshmërisë.
Ai ka shkruar se çdo reagim e kundërshtim i tij brenda institucionit ishte i bazuar në Ligjin për zyrtarët publikë dhe Ligjin për sinjalizimin.
“Për informimin e drejtë e të sinqertë për gjithsecilin, unë jam zyrtari i cili i ka thënë JO një procesi të kundërligjshëm e me shumë të panjohura, siç ishte procesi i furnizimit me produkte për Rezervën Shtetërore në Vitin 2022. Po unë jam ai i cili në vazhdimësi e kam kundërshtuar këtë proces me shkrim e jo verbalisht, duke e paralajmëruar në vazhdimësi ministren Rozeta Hajdari, se veprimet dhe heshtja juaj karshi këtij procesi bien ndesh me ligjin bazë për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Pra edhe përkundër kundërshtimeve të drejta (ligjore) e parimore, paralajmërimeve të njëpasnjëshme, kurrë në asnjë moment s’kam pranuar ndonjë shkresë zyrtare me të cilën së paku do tentohej të demantohet shqetësimi i shprehur qysh në fillim të këtij procesi”, ka shkruar Kutllovci.
Ai e ka akuzuar ministren Rzeta Hajdari, për tendencë për ndalim të fjalës e mendimit të lirë.
“U trondita me sjelljen dhe tendencën e Ministres Hajdari për të ndaluar e cenuar fjalën dhe mendimin e lirë e sidomos për çështjen e procedurës së furnizimit të Rezervës Shtetërore. Diskutimi im e shqetësoj dhe e nervozoj tejmase, saqë e humbi tërësisht kontrollin dhe e kërkoj hakmarrjen para të gjithëve. Ministrja, Rozeta Hajdari, çuditërisht më kërcënoj hapur para të gjithëve me fjalën (mbylle gojën), saqë iu drejtua me urdhër z. Daut Latifaj, zv.Sekretarit të Përgjithshëm dhe kërkoj inicimin e procedurës disiplinore”, ka shkruar Kutllovci, duke iu referuar një vizite të ministres Hajdari në Departamentin për Rezervë Shtetërore.
Ai ka thënë se “urdhri politik” i Hajdarit, është përfillur “absolutisht nga komisioni disiplinor i cili nxjerri vendim skandaloz për largim nga marrëdhënia e punës, natyrisht vendim arbitrar të diktuar e imponuar nga një presion i paparë politik”.