Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se satelitët e Shqipërisë janë lëshuar në hapësirë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale edhe videon nga momentet e lëshimit të satelitëve.
“Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida, raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6 që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1 dhe Albania 2”, ka shkruar Rama.
Kujtojmë se disa muaj më parë, mes Shqipërisë dhe operatorit “Satellogic USA Inc” është nënshkruar një kontratë e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin e territorit të vendit.
Sipas autoriteteve shqiptare, kontrata konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve për një periudhë trevjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë.