Gjysmëhëna e Kuqe Libiane thotë se më shumë se 11,000 njerëz vdiqën në përmbytjet, të shkaktuara nga stuhia Daniel, me mijëra ende të zhdukur.
Një kërkim i dëshpëruar për të zhdukurit vazhdon në qytetin libian Derna, ku kufomat ende po kthehen në brigjet e tij ose po kalben nën rrënoja gati një javë pasi stuhia Daniel shkaktoi përmbytje shkatërruese në lindje të vendit, i cili ka vuajtur vite të tëra neglizhence mes ndarjeve politike.
Misioni i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin në Libi ka thënë se më shumë se 5,000 njerëz supozohen të vdekur, me 3,922 vdekje të regjistruara në spitale. Gjysmëhëna e Kuqe Libiane të premten tha se numri i të vdekurve qëndron në më shumë se 11,000, ndërsa mijëra mbeten të zhdukur.
Gati 40,000 njerëz janë zhvendosur pas katastrofës, e cila u shoqërua me plasjen e dy digave të vjetruara.
Rrethe të tëra të Dernës, me një popullsi të vlerësuar prej të paktën 120,000 banorësh, u fshinë ose u varrosën në baltë pasi dy diga në jug të qytetit u thyen të dielën mbrëma, duke lëshuar përrenj të përmbytjeve poshtë një shtrati zakonisht të thatë lumi. /mesazhi