RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Liderët e BE-së takohen në Bruksel me kryeministren e re të Italisë, Giorgia Meloni

lideret-e-be-se-takohen-ne-bruksel-me-kryeministren-e-re-te-italise,-giorgia-meloni

Liderët e Bashkimit Evropian (BE), në vizitën e parë që kryeministrja e re e Italisë Giorgia Meloni e zhvilloi dje në Bruksel, diskutuan çështje të rëndësishme në rendin e ditës, nga lufta në Ukrainë e deri në çështjen e krizës së energjisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Meloni u takua në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, dhe kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Takimi i Melonit me Michel zgjati më shumë se 2 orë.

Sipas informacioneve të marra nga një zyrtar i BE-së, mësohet se Meloni dhe Michel zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kaluan në një darkë pune së bashku me delegacionet e tyre.

Dy liderët diskutuan të gjitha temat e rëndësishme, si lufta në Ukrainë, kriza energjetike, perspektiva e përgjithshme ekonomike, “marrëveshja e gjelbër” e BE-së, sovraniteti i Evropës, mbrojtja, migracioni, Ballkani Perëndimor, Libia dhe Afrika.

– “Një sinjal i fortë”

Në një postim përmes Twitter-it pas takimit me Melonin, Von der Leyen falenderoi lideren italiane që vizitën e saj të parë jashtë vendit e kreu në Bruksel.

Duke e vlerësuar këtë si një “sinjal të fortë” për institucionet e BE-së, Von der Leyen bëri të ditur se kanë shkëmbyer pikëpamje për shumë çështje kritike, nga Ukraina te energjia, nga e ardhmja e BE-së e deri te emigracioni.

Edhe kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se Italia ka pasur gjithmonë një rol qendror brenda BE-së.

“Me pushtimin rus të Ukrainës, rritjen e çmimeve të energjisë dhe rritjen e inflacionit, ne duhet të qëndrojmë të lidhur më shumë se kurrë”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, Meloni, në një vlerësim për shtypin italian pas bisedimeve, deklaroi se Italia do të mbrojë interesat e saj kombëtare në nivelin e BE-së dhe shpjegoi se liderëve të BE-së u ka përcjellë qasjen e vendit të saj ndaj problemeve kryesore me të cilat përballen, si kriza e Ukrainës, rritja e çmimeve të energjisë dhe çmimi tavan për gazin.

Related posts

Meloni: Do të qeverisim për të gjithë italianët

admin

Të paktën 10 të vrarë pasi avionët izraelitë sulmojnë Gazën – VIDEO

rezart morina

Shqipëria e treta në botë për rritjen në turizëm, Rama publikon statistikat e OBT-së

rezart morina