Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, ka deklaruar se ripranimi i Sirisë nuk do të thotë rifillim i marrëdhënieve midis Damaskut dhe vendeve anëtare të organizatës rajonale, transmeton Anadolu.
Më 7 maj, Liga Arabe me bazë në Kajro riktheu Sirinë në organizatë pas 12 vitesh pezullim për shkak të shtypjes brutale të regjimit sirian ndaj protestave pro-demokratike.
“Vendimi për të ripranuar Sirinë nuk do të thotë rifillim i lidhjeve midis të gjitha vendeve arabe dhe Sirisë. I takon secilit vend të vendosë në bazë të vizionit të tij”, tha Aboul Gheit për televizionin saudit ‘Al Arabiya’.
Shefi i Ligës Arabe theksoi se ripranimi i Sirisë është një “përpjekje arabe për të lehtësuar procesin e zgjidhjes së krizës siriane”.
“Siria pranoi se kthimi i saj në Ligën Arabe është pjesë e zgjidhjes së krizës së saj”, shtoi ai.
Dje, Katari tha se nuk do të kundërshtojë konsensusin arab për ripranimin e Sirisë në trupin pan-arab, pasi më herët, muajin e kaluar, ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman, tha se bojkoti i Katarit ndaj regjimit sirian mbetet në fuqi.
Kreu i regjimit sirian, Bashar al-Assad, nesër pritet të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të Ligës Arabe në Arabinë Saudite.
Në muajt e fundit, regjimi sirian ka filluar të shkëmbejë vizita dhe kontakte zyrtare me disa vende arabe, përfshirë Egjiptin, Arabinë Saudite, Tunizinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.