Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Qeverisë për Ligjin për pagën minimale, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për vlerësim.
Kushtetuesja ka vendosur që ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të verbrit, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.
Pas vendimit të Kushtetueses nga OVL/UÇK kanë thënë se do të vazhdojnë protestat ndaj Qeverisë Kurti.
Faton Klinaku nga kjo organizatë ka shkruar se për formën dhe kohën e protestës do të marrin vendim me organet drejtuese të OVL/UÇK-së.
“Qëndrimet tona se do t’i vazhdojmë protestat kundër këtij pushteti i cili vazhdimisht ka punuar kundër veteranëve të luftës së UÇK-së dhe shtresave tjera të shoqërisë, mbeten të pandryshueshme. Për format dhe kohën e protestimit, do të takohemi si organe drejtuese për të vendosur”, ka shkruar Klinaku.
Në korrik të vitit të kaluar, Ligji për pagën minimale ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
Ligji i ri parashihte rritjen e pagës minimale në Kosovë, që ishte miratuar më 13 korrik 2023 në Kuvend, por kishte hasur në kundërshtime nga veteranët e luftës në Kosovë.
Ky ligj nuk i përfshin veteranët. Deri tani pensioni i tyre lidhej me pagën minimale që ishte 170 euro.
Tash, ajo është rritur në 264 euro, por vetëm për punëtorët.
The post Ligji për pagën minimale, veteranët paralajmërojnë protesta kundër Qeverisë first appeared on Radio Televizioni Iliria.