Nëse Komisioni Evropian sheh mangësi në progresin e reformës në Ukrainë, kjo nuk duhet të jetë një arsye për të shtyrë negociatat e anëtarësimit, por një nxitje për ne që të rrisim mbështetjen tonë për Ukrainën për të përshtatur sistemet e saj ligjore, ekonomike, politike dhe sociale me standardet e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur, tha kryetarja e parlamentit të Lituanisë, Viktorija Çmilyte-Nielsen në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Bashkimit Evropian, në Pragë.
Çmilyte-Nielsen përsëriti gjithashtu nevojën për të mbështetur Ukrainën ushtarakisht, siç është krijuar kolegjialisht brenda BE-së.
Kryetari i parlamentit letonez, Edvards Smiltens, theksoi rëndësinë e fokusimit në një politikë më të gjerë dhe më koherente të frenimit të Rusisë, me miratimin e ndryshimeve më të mëdha në modelet e bashkëpunimit ekonomik dhe mbrojtjes kolektive.
Mendime të ngjashme shprehu edhe kryetari i ri i parlamentit të Estonisë, Lauri Hussar, i cili vuri në dukje se vendet e Bashkimit Evropian duhet të forcojnë angazhimin e tyre, jo vetëm në funksion të pranimit të Ukrainës në NATO dhe BE, por edhe në funksion të rindërtimit të vendit. /atsh