Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se njohja e shtetit të Palestinës nuk është “tabu” për vendin e tij, transmeton Anadolu.
Macron dhe Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, u takuan në Pallatin Elysee në Paris dhe më pas u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.
Duke vlerësuar se zgjidhja me dy shtete dhe krijimi i një shteti palestinez në Lindjen e Mesme është zgjidhja e vetme për rajonin, Macron tha se “njohja e shtetit palestinez nuk është tabu për Francën”.
Macron theksoi se prioriteti i tyre është arritja e një marrëveshjeje që do të sigurojë armëpushim në rajon.
Presidenti francez tha se me këtë armëpushim duhet të garantohet siguria e civilëve dhe hyrja e ndihmave humanitare për Gazën dhe theksoi se humbjet e mëdha të jetëve të shkaktuara nga sulmet izraelite në Gaza janë të papranueshme.
“Sulmi i Izraelit ndaj qytetit Rafah mund të shkaktojë një katastrofë humanitare të paprecedentë dhe kjo do të ishte një pikë kthese në konflikt”, shtoi Macron.
Më tej, Macron tha se zhvendosja e detyrueshme e qytetarëve të Gazës nga vendet e tyre do të jetë kundër ligjit ndërkombëtar. Ai po ashtu tha se Franca ashtu sikurse Egjipti dhe Jordania është e shqetësuar për rrezikun e zhvendosjes së popullatës së rajonit.
Presidenti francez bëri të ditur se prioriteti i tyre është të ndihmojnë qytetarët e Gazës dhe ndër të tjera tha se nëse shihet nevoja në terren pikat e kalimit të ndihmës humanitare janë të pamjaftueshme.
“Sot në Gaza civilët po vdesin nga uria edhe sëmundja”, tha Macron, duke kërkuar që të hapet porti Usdud (Ashdod) në kuadër të dërgimit të ndihmave humanitare në rajon.