RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shefi i diplomacisë letoneze: Sulmet izraelite në Gaza po shkaktojnë “katastrofë humanitare”

shefi-i-diplomacise-letoneze:-sulmet-izraelite-ne-gaza-po-shkaktojne-“katastrofe-humanitare”

Ministri i Punëve të Jashtme të Letonisë, Krisjanis Karins, gjendjen e rëndë të civilëve në Rripin e Gazës e ka quajtur një “shqetësim të madh” pasi sulmet izraelite kanë shkaktuar një “katastrofë humanitare”, raporton Anadolu.

“Për momentin nuk është aspak e qartë për mua se si një operacion ushtarak në vazhdim në Gaza po arrin qëllimet ushtarake”, tha Karins duke u përgjigjur në pyetjen e Anadolu në Konferencën e 60-të të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Karins tha se sulmet e vazhdueshme izraelite po shkaktojnë një “katastrofë humanitare” në enklavën e rrethuar palestineze, ku mijëra civilë janë vrarë që nga 7 tetori. Shefi i diplomacisë letoneze theksoi nevojën për një zgjidhje me dy shtete për t’i dhënë fund “ciklit të pafund” të luftës aktuale.

“Sepse ky cikël është më i gjatë dhe më i vjetër se unë. Ka vazhduar gjithë jetën time, gjithë jetën tonë. Ky cikël duhet të prishet dhe e vetmja mënyrë që të mund të prishet është krijimi dhe njohja e shtetit të dytë dhe duhet të jetë shtet i zbatueshëm”, tha Karins.

Që nga inkursioni ndërkufitar i grupit palestinez Hamas më 7 tetor, kur sipas Tel Avivit u vranë më pak se 1.200 persona, ofensiva izraelite në Rripin e Gazës ka vrarë mbi 28.600 palestinezë si dhe ka shkaktuar shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), konflikti ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Pavarësisht kritikave ndërkombëtare, Izraeli planifikon pushtim tokësor të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës, ku ndodhen rreth 1.4 milionë refugjatë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu thotë se do “të luftojnë deri në fitoren e plotë dhe kjo përfshin një aksion të fuqishëm në Rafah”.

Related posts

“U ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë, por u qëllua me një plumb”- Vrasja e Avni Rustemit, çfarë ndodhi me 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri

admin

Ukraina: Rusët sulmuan infrastrukturën portuale në Danub

rezart morina

Izrael, vazhdojnë protestat kundër reformës gjyqësore të Netanyahut

admin