Ukraina po zëvendëson gjakun me çelikun, duke përdorur teknologjinë për të rimarrë territoret dhe mbrojtur jetët e ushtarëve
Në një ish-studio baleti në lindje të Ukrainës, pasqyrat që dikur reflektonin lëvizjet elegante të kërcimtarëve, sot fshihen pas ekraneve të zinj që transmetojnë imazhe lufte.
Këtu, brenda bazës së Batalionit “Alter Ego”, arti i vetëm që ushtrohet është ai i mbijetesës përmes teknologjisë. Ukraina po i zgjeron kufijtë e asaj që njihet si “luftë klasike”.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy njoftoi së fundmi një moment historik: rimarrjen e parë të një pozicioni armik të kryer tërësisht nga sisteme pa pilot. Ky nuk është më thjesht një eksperiment, por një evolucion natyror në një fushëbetejë ku “zona vdekjeprurëse” po zgjerohet çdo ditë e më shumë.
Në periferi të Kramatorskut, në një terren të mbuluar nga balta e trashë dhe akulli, një robot tokësor përparon me një rezistencë gati mbinjerëzore. I ngarkuar me ujë, karburant dhe municione, ai kontrollohet nga Dmytro (54 vjeç) dhe Mikhailo (61 vjeç).
Përmes sistemit Starlink, këta “operatorë” mund ta drejtojnë mjetin edhe nga qindra kilometra larg, duke i mbajtur jashtë rrezikut të drejtpërdrejtë ushtarët prej mishi e gjaku.
Këta robotë nuk janë thjesht transportues. Ata evakuojnë të plagosurit, vendosin mina, ngrenë barrikada dhe në raste specifike, detyrojnë armikun të dorëzohet pa pasur nevojë që një ushtar ukrainas të shkelë në zonën e zjarrit.
Komandanti Andrii Biletski, parashikon se me ritmet aktuale, robotët mund të lejojnë tërheqjen e deri në një të tretës së këmbësorisë nga vijat më të nxehta të frontit.
“Në SHBA, inxhinierët paguhen shtrenjtë për këtë punë. Këtu, kjo bëhet për të shpëtuar jetët tona”- thotë Oleksandr, kreu i batalionit.
Ai shpjegon se mungesa e pjesëve të këmbimit dhe vështirësitë e prodhimit në masë janë pengesat kryesore, por motivimi mbetet i pakrahasueshëm.
Në punishtet e tyre, shpirtrat krijues si Andrii, një ish-magjistar i rekrutuar së fundmi, punojnë për të modifikuar pajisjet: shina në vend të rrotave dhe bateri në vend të motorëve me zhurmë.
Por pavarësisht entuziazmit, ekspertët mbeten këmbëngulës: roboti nuk është një “armë mrekullibërëse”.
Analisti ushtarak David Kirichenko, vëren se kur bëhet fjalë për luftën urbane apo pastrimin e pozicioneve të infiltruara, prania njerëzore mbetet e pazëvendësueshme. Robotët nuk mund ta mbajnë terrenin me të njëjtën fleksibilitet si një ushtar njerëzor.
Megjithatë, për djemtë e Brigadës së 93-të të ushtrisë ukrinase, çdo mision i përfunduar nga një makinë është një jetë më shumë e kthyer në shtëpi. Këtë vit lufta e Ukrainës nuk po fitohet vetëm me trimëri, por me kod, valë radioje dhe vullnetin për t’i lënë makineritë të “përgjaken” në vend të njerëzve. /tesheshi

