Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se 129 pjesëtarë të FSK-së e kanë ndërprerë shërbimin në ushtri gjatë vitit 2023, raporton Gazeta Express.
Maqedonci tha gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Siguri tha se në total 2021 pjesëtarë janë larguar nga FSK-ja vitin e kaluar.
“Sa i përket daljeve, gjatë vitit 2023 gjithsej janë larguar 221 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë pjesëtarët aktivë, rezervë dhe nëpunës civilë. Këtu hyn edhe pensionimi i rregullt, që janë 59 pjesëtarë. Pensionim jo i rregullt: dy civilë, pensionim pas arritjes së moshës: 14 pjesëtarë, ndërprereje vullnetare të shërbimit kanë pasë 129 pjesëtarë, ndërprerje vullnetare të shërbimit të rezervës: 4, ndërprerje vullnetare të shërbimit, një civil, shkarkim nga shërbimi ka qenë një, kanë humbur statusin e pjesëtarit të FSK-së 2 pjesëtarë dhe largim nga bordi, kemi pasë 7 si dhe dy pjesëtarë…”, tha Maqedonci.
Kryetari i Komisionit, deputeti Bekë Berisha e ndërpreu. “Ndalemi qe këta që e kanë lëshu. Që nuk janë pensionistë por e kanë lëshu”.
“Arsyet janë të ndryshme, duke filluar nga mirëqenia, pra nga aspekti i pagës, te mundësitë që u ofrohen jashtë institucionit”, tha ministri, duke u përgjigjur.
“Ky nuk është trend vetëm te ne, është trend global. Të gjitha ushtritë aktualisht janë duke u ballafaquar me mbajtjen e personelit, kjo edhe për faktin që në kuadër të ushtrisë, si oficerët, gjithashtu nënoficerët dhe ushtarët zhvillojnë shkathtësi të veçanta, marrin trajnim të veçantë i cili shpesh u mundëson atyre të bëhen subjekt gjuetie nga kompanitë e ndryshme jashtë institucionit, duke përfshi edhe institucionet shtetërore”, tha Maqedonci.
Ministri tha se ka pasur “edhe lëvizje në Policinë e Kosovës prej Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
“Jo gjithmonë për shkak të mirëqenies, shpesh edhe për shkak të mundësive që u ofron ushtrimi i profesionit të tyre edhe në strukturat tjera”, tha ai.
“Unë po e shoh shqetësuese ende këtë çështjen e mbajtjes së personelit dhe do të jetë shqetësuese edhe për vitet me radhë”, tha Maqedonci.