Shumë sektorë përballen me mungesë punëtorësh. Situata më e rëndë është me largimin jashtë vendit të punonjësve shëndetësorë. Sindikata e Qendrave Klinike thonë se asnjëherë nuk ka ndodhur të ketë konkurse të hapura dhe të mbyllen pa aplikuar askush.
“Kështu më përfundimisht nuk shkon. Bëj pyetje publike …A ka dikush që del dhe i thotë ndal më kësaj katrahure?”.
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Spitalet e Klinikat e vendit me mungesë të theksuar të punonjësve shëndetësorë. Për çdo ditë, numër i konsiderueshëm i stafit mjekësor largohet nga vendi për të punuar jashtë Maqedonisë së Veriut. Sefedin Aliu nga Sindikata e Qendrës Klinike në Shkup tha se gjendja është aq alarmante saqë konkurset hapen dhe mbyllen pa mos u paraqitur askush.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur në historikun e Maqedonisë që të hapet konkurs, të gjithë ata që kanë qenë të interesuar çdo herë ka pasur më tepër dhe kemi pasur mundësi në seleksionim. Sot as nuk paraqiten, dështojnë konkurset. Flet kjo për një dështim total? Kjo ndodh në të gjitha degët, në mjekësi, farmaci, infermieri sidomos. Edhe tani kur flasim kemi një numër të madh që ikin nga këtu pa dhënë kurrfarë arsyetimi se pse… një infermiere, një farmaciste, një laborante rrogën sot e ka 20.000 denarë . Ky është problemi kryesor, pastaj ndërlidhen të gjitha. Kushtet rëndohen, kushte të këqija për punë”, deklaroi Sefedin Aliu, Sindikata e Qendrës Klinike – Shkup, transmeton alsat përcjell albinfo.ch.
Sindikata thotë se gjendjen nuk e përmirëson as pajisja me aparate moderne, pasi me to nuk ka se kush të punojë.
Problem më i madh mbetet mungesa e infermiereve. Sindikata e Gerijatrisë ditë më parë njoftoi se 150 infermiere veçmë kanë firmosur marrëveshje me Spitalet e Evropës. Ndërkohë sipas Sindikatës së Qendrës Klinike, vetëm gjatë 5 viteve të fundit rreth 6,000 infermiere kanë braktisur shtetin. Ndërkohë sipas të dhënave të Sindikatës rreth 180 mjekë viteve të fundit janë pensionuar, gjendje e cila rëndon edhe më shumë funksionimin e sistemit shëndetësor.