Treguesit e një diktati amerikan për linjën e re gjeopolitike të Tiranës
Sapo është dhënë një provë tjetër e faktit të hamendësuar se Shqipëria është tashmë nën hyqmin amerikan, duke i diktuar Tiranës një aleancë me aksin Emirate-Izrael-Greqi, që do të thotë një shmangie nga Turqia.
Kështu, Shqipëria është bërë pjesë e një projekti të madh ndërkombëtar në fushën e energjisë që përfshin partnerë amerikanë dhe grekë. Bëhet fjalë për një marrëveshje prej gjashtë miliardë dollarësh që u nënshkrua këtë të mërkurë në mes kompanisë shqiptare ALBGAZ, Venture Global një kompani që aktivitetin e saj e ka të përqëndruar tek gazi natyror i lëngshëm i prodhuar në Amerikë dhe Aktor LNG, një kompani greke me përvojë në këtë sektor.

Është një marrëveshje 20-vjeçare në fushën që synon furnizimin e Europës jugore me gaz të lëngshëm nga SHBA-të. Konkretisht bëhet fjalë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme në Vlorë për importin e gazit i cili do të importohet nga SHBA-të me anije dhe përmes procesit të rigazifikimit të kthehet në gaz të lëngshëm.
Po ashtu parashikohet ndërtimi i tubacionit Fier-Vlorë, duke e lidhur këtë qendër me rrjetin kombëtar dhe rajonal të transmetimit të gazit.
Marrëveshja është firmosur në prani edhe të ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, e cila u prit nga kryeministri Edi Rama javë më parë nën një veshje ekstravagante.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, përmes një postimi në X ajo bëri të ditur se me këtë projekt po çon përpara axhendën e Presidentit Donald Trump.
“Isha i nderuar të udhëtoja në Tiranë për të çuar përpara axhendën energjetike të Presidentit Donald Trump dhe t’i bashkohesha kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike mes Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG për një marrëveshje 20-vjeçare amerikane të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Ky angazhim prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike, dhe sigurinë kombëtare, në të gjithë rajonin. Jemi krenarë të ndërtojmë mbi punën e shkëlqyer të Doug Burgum, Chris Wright dhe Këshillit Kombëtar për Dominimin Energjetik. Kur United States, Albania dhe Greece punojnë së bashku, ky rajon bëhet më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, shkroi ajo.

Politikisht, ky zhvillim e bën Ramën të ndihet edhe më i pushtetshëm në vitin e 13-të të pushtetit të tij, duke bërë gjykime gjeopolitike plot entuziazëm.
“Sot, energjia përcakton sigurinë tonë, fuqinë tonë ekonomike dhe ambicien për vendin që zë në rajon dhe në Europë: të arrijmë që, brenda këtij mandati, të shndërrohemi në një vend eksportues neto të energjisë. Një element kyç i këtij rrugëtimi është partneriteti me SHBA, që mbështetet në zotimin e përbashkët ndaj sigurisë energjetike.

Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën juglindore. Theksoj rëndësinë e asaj që tha ambasadorja Guilfoyle, për nevojën tonë, të Greqisë dhe të Shqipërisë, për të forcuar lidhjen dhe bashkëpunimin në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit, rezistencës dhe pavarësisë. Partneriteti i Shqipërisë dhe SHBA përçon një mesazh: edhe vendet e vogla mund të marrin hapa të guximshëm dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së sfidave më të ngutshme të kohëve tona”, tha ai pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ky zhvillim do të thotë që Tirana e Athina duhet të futen tashmë në një erë të re marrëdhëniesh, ku axhenda e tyre përcaktohet nga Uashingtoni.
Turqia? Ndoshta ka një pakt me SHBA për t’u kompensuar gjetkë në zona influence. /tesheshi.com/

