RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Marrëveshja me Danimarkën, mbyllet Qendra e Paraburgimit në Gjilan

marreveshja-me-danimarken,-mbyllet-qendra-e-paraburgimit-ne-gjilan

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka njoftuar se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, pas njoftimit zyrtar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Sipas OAK-së, ky proces po zhvillohet në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze.

“Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës jemi njoftuar zyrtarisht se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Odës së Avokatëve të Kosovës.

Sipas njoftimit, tashmë ka nisur edhe transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga kjo qendër drejt institucioneve të tjera korrektuese.

“Procesi do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, ka bërë të ditur OAK.

Oda e Avokatëve të Kosovës u ka bërë thirrje avokatëve që përfaqësojnë persona të privuar nga liria, të cilët deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, që të verifikojnë paraprakisht lokacionin e ri të klientëve të tyre.

“Me qëllim të shmangies së vonesave procedurale dhe garantimit të ushtrimit efektiv të mbrojtjes, Oda e Avokatëve të Kosovës i njofton të gjithë avokatët që përfaqësojnë persona të privuar nga liria që deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, të verifikojnë paraprakisht institucionin korrektues në të cilin ndodhen klientët e tyre”, thuhet në njoftim.

Sipas OAK-së, ky njoftim ka për qëllim informimin me kohë të komunitetit të avokatëve dhe lehtësimin e komunikimit me klientët gjatë periudhës së tranzicionit.

“Oda e Avokatëve të Kosovës do të vazhdojë t’i përcjellë të gjitha njoftimet zyrtare me interes për ushtrimin e profesionit dhe do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë proces”, përfundon njoftimi.

Related posts

Kryediplomati shqiptar viziton Kosovën, takohet me krerët institucionalë

admin

Parisi kundër monopateve, shkak rritja e pasigurisë publike

admin

Organi fetar turk ‘Diyanet’ djegien e Kuranit në Suedi do ta dërgojë në gjykatat jashtë vendit

admin