RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

MASHTI planifikon t’u ndajë mjete prindërve të nxënësve për blerjen e librave

mashti-planifikon-t’u-ndaje-mjete-prinderve-te-nxenesve-per-blerjen-e-librave

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) po e shqyrton mundësinë t’ua transferojë paratë prindërve në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor, ka thënë të hënën ministrja Arbërie Nagavci.

Duke folur në një konferencë për media më 21 gusht në Prishtinë, Nagavci tha se furnizimi i nxënësve me tekste shkollore nga MASHT-i ka qenë “mjaft sfidues” në vitet e mëparshme, për shkak se “ky proces ka qenë jo gjithmonë i drejtë dhe cilësor”.

Ministria ofron tekstet çdo vit për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, ndërkaq për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën një vit ofrohen tekstet e reja, ndërsa vitin tjetër shfrytëzohen të njëjtat tekste, tha Nagavci.

Deri tani, Ministria i ka blerë librat direkt nëpër shtëpi botuese, nga ku ato u janë shpërndarë nxënësve nëpër shkolla.

Por MASHTI synon ta ndryshojë strategjinë dhe do të vendosë brenda pak ditëve për planin e ri për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit.

“Sivjet po shqyrtojmë mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore, sipas obligimit ligjor të Ministrisë së Arsimit, të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shumë shpejt, brenda dy a tri ditëve do të vendoset për këtë”, tha Nagavci.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, tha se menjëherë kanë filluar ankesat dhe shqetësimet e prindërve, për shkak se kjo e “vështirëson situatën financiare”.

“Pasi kam lexuar shkrimin në media kam telefonuar në ministri dhe kam marr informata për këtë çështje dhe kam përcjell brengat dhe shqetësimet e prindërve. Ende nuk është definitive, pasi më është thënë, se deri në fund të javës do të vendoset se si do të rregullohet kjo çështje”, tha Dragusha për Radion Evropa e Lirë.

Në cilën do formë, tha ai, tashme është krijuar një “kaos” tek prindërit dhe fëmijët, sepse fillimi i vitit të ri shkollor është edhe 10 ditë, dhe ende nuk është e qartë se a do siguron ministria falas librat apo do i blejnë prindërit e tyre.

Prindërve do t‘iu duhet të aplikojnë në platformën online të Qeverisë, E-Kosova, për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Ajo tha se ka pasur raste kur raportet e recensentëve ishin “të mangëta dhe jo në nivelin e duhur”.
“Legjislacioni në fuqi obligon kontrata të negociuara dhe jo rrallëherë kemi parë edhe raste të keqpërdorimeve. Ka pasur dallime tepër të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore, kemi pasur jo vetëm dallim nga viti në vit, por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese me çmime.”

Duke folur për arsyet e këtij vendimi Nagavci shpjegoi se kemi pasur edhe raste të cilat MASHTI i ka adresuar te organet e hetuesisë.

“Kemi pasur raste kur një tekst një vit është shitur 3 euro, pastaj në vitin vijues mbi 12 euro”, shtoi ajo.

Viti i ri shkollor në Kosovë do të nisë më 1 shtator.

Related posts

Zhduket varka me 500 emigrantë në Mesdhe, mes tyre një i porsalindur dhe një grua shtatzënë

rezart morina

Kina voton pro rezolutës që e njeh Rusinë si agresor, Serbia abstenon sërish

rezart morina

I ndalohet hyrja në Rusi këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe zëdhënësit Matthew Miller

admin