RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Master-plani për kompleksin “Adem Jashari” zvarritet pavarësisht urgjencës

master-plani-per-kompleksin-“adem-jashari”-zvarritet-pavaresisht-urgjences

Master-plani për kompleksin memorial “Adem Jashari” do të përfshijë një zonë prej 450 hektarësh. Në konkurs jepen detaje të gjendjes aktuale bashkë me synimet e shtetit për këtë kompleks.

Ka vite që alarmohet se monumentet në kuadër të kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz, përditë po shkatërrohen. Janë bërë disa zotime, edhe së fundmi ka pasur ndërhyrje emergjente, por i premtuari master-plan ende nuk është kurrkah. Ministria e Kulturës qysh në maj të vitit të kaluar ka hapur konkurs ndërkombëtar për master-planin e paraparë të kushtojë deri në 3 milionë euro. As tetë muaj më vonë nuk është gati. Tash lënda është në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik
Qeveria e Kosovës, prej fillimit të mandatit në mars të vitit 2021, ia ka vënë vetes qëllim që të ndërhyjë në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Krejt këtë, në emër të emergjencës se ndërtesat janë në prag të shkatërrimit. Por pos disa ndërhyrjeve emergjente, ende nuk ia ka dalë që të ketë projekt për kompleksin më domethënës të historisë së re të Kosovës. Pos kësaj nuk dihet ende se as kur mund të jetë gati master-plani.

Ministria e Kulturës qysh në maj të vitit të kaluar, ka hapur konkurs ndërkombëtar për master-planin e paraparë të kushtojë deri në 3 milionë euro. Finalizimit të këtij projekti në letër, nuk është duke iu parë fundi. As tetë muaj më vonë nuk është gati. Tash, lënda është në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Njëri prej tri konsorciumeve është ankuar me arsyetimin se MKRS-ja ka bërë shkelje gjatë procesit.

Sipas konkursit të mbyllur me 7 korrik, master-plani do të përfshijë një zonë prej 450 hektarësh. Në konkursin jepen detaje të gjendjes aktuale bashkë me synimet e shtetit. Këtij procesi i ka paraprirë një studim i komisionit të ekspertëve të emëruar qysh në shtator të vitit 2021, i cili kryesohej nga historiania e arkitekturës dhe ekspertja e trashëgimisë kulturore, Amra Haxhimuhamedoviq.

Midis tri konsorciumeve konkurruese, komisioni i përbërë nga arkitektja Edona Dërguti, kryesuese, dhe anëtarët Burbuqe Hydaverdi, arkitekte, Arianit Loxha, po ashtu arkitekt, inxhinieri i ndërtimit, Florim Grajçevci, antropologia Zanita Halimi e zyrtari i MKRS-së, Drilon Kabashi, kishin bërë vlerësimin.

Konsorciumin që kryesohet nga “Polis University” e kishin vlerësuar me 29 pikë. Kurse dy konsorciume të tjera që janë vetëm të paraqitura me shifra, me nga 50 dhe 32 pikë.

Por Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë si kompani që kryeson konsorciumin që ka marrë vlerësim me 32 pikë ishte ankuar në MKRS, por kjo nuk kishte bërë punë. I është drejtuar edhe OSHP-së. Pretendon se MKRS-ja ka bërë katër shkelje të Ligjit për prokurimin publik dhe tri të tjera të rregulloreve.

Pretendimi i parë është se një prej operatorëve ekonomikë ka zbuluar identitetin në proces dhe se Komisioni ka vlerësuar duke pasur parasysh këtë fakt.

“Shifra 2606 – sipas procesverbalit të takimeve theksohet nga ana e jurisë

profesionale se ofertat e kësaj shifre janë të gjitha në një pako. Gjatë vizitës sonë në Sallën e vlerësimit të ofertave, kemi vërejtur se kjo shifër i ka të gjitha zarfet e hapura dhe përbën shkelje prapë të Ligjit të Prokurimit Publik dhe Rregulloreve…”, shkruhet në pretendimin tjetër. Ofertimi në mënyrë elektronike, sipas ankuesve, është tjetër shkelje e konkurrentit që mban shifrën 2606. Në pikat e tjera, ankuesit kanë pretendime se ofertuesit e tjerë nuk u janë përmbajtur kërkesave për projekt-propozim. Kërkohet nga OSHP-ja që procesi të kthehet në rivlerësim.

Dy pyetje ka pasur KOHA për Ministrinë e Kulturës. Në asnjërën nuk ka marrë përgjigje konkrete.

“Si është e mundur që konkretizimi i përzgjedhjeve të projekteve po zvarritet shkaku i shkeljeve procedurale? Njësoj ka ndodhur edhe me projektin teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” (zbulim identiteti i kompanive) dhe tash me kompleksin “Adem Jashari”, ka qenë pyetja e parë. MKRS-ja ka shkruar për hapat që janë ndërmarrë. Ka treguar se “ka formuar grupin koordinues për vlerësimin e gjendjes fizike të ndërtesave në kuadër te kompleksit memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz në muajin korrik të vitit 2021, se grupi koordinues i ka rekomanduar hapat që duhet të ndërmerren për trajtimin e Kompleksit Memorial. Sipas asaj që e ka cilësuar përgjigje, MKRS-ja ka treguar se “njëri prej rekomandimeve ka qenë edhe vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesave kryesore të kompleksit në aspektin strukturor”.

“Bazuar në këtë raport, MKRS-ja ka lidhur Memorandum Bashkëpunimi me Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës. Profesorët e UP-së e kanë dorëzuar raportin final në të cilin janë identifikuar ndërtesat me rrezikshmëri të lartë brenda Kompleksit Memorial. Nga këto ndërtesa janë identifikuar Shtëpia e Sala dhe Hamit Jasharit, pika vrojtuese – bunkeri, Shtëpia e Sadik Jasharit, muri rrethues i mbetur i shtëpisë se Smajl Jasharit, ndërsa për ndërtesat kryesore – Shtëpitë e Jasharëve është deklaruar në raport se kane qëndrueshmëri të presin deri në hartimin e Master Planit të tërësishëm të Kompleksit”, ka shkruar MKRS-ja. Po aty, ka treguar se ka lidhur kontratat për ndërhyrjet emergjente në Shtëpinë e Sala dhe Hamit Jasharit dhe në Shtëpinë e Sadik Jasharit, pikën vrojtuese – bunkerin dhe murin rrethues të shtëpisë së Smajl Jasharit. “Të dyja këto kontrata janë realizuar me sukses duke e eliminuar rrezikun që u kanosej këtyre ndërtesave për një kohë të caktuar”, ka shkruar MKRS-ja.

“Ndërhyrjet në kompleks janë cilësuar si emergjente. Sa janë shpenzuar deri tash në ndërhyrje (kur janë bërë ndërhyrjet) dhe a vazhdon të rrezikohet kompleksi, shkaku i mungesës së projektit që do t’i hapte rrugë punës?”, ka qenë pyetja e dytë. Në pjesën tjetër të përgjigjes, MKRS-ja u është kthyer procedurave. Ka treguar për konkursin e hapur në maj. “Nga ajo kohë, konkursi është mbyllur dhe është bërë vlerësimi nga komisioni i vlerësimit. Në këtë fazë, procesi është në OSHP, dhe jemi në pritje të përgjigjes zyrtare nga ata”, ka shkruar MKRS-ja.

Sipas konkursit ndërkombëtar, objektivat e përgjithshme janë ruajtja e kujtesës mbi martirizimin e Prekazit, fuqizimi i rezistencës dhe martirizimit të familjes Jashari në lëvizjen më të gjerë për liri të Kosovës, simbolika universalizuese e martirizimit të Prekazit si vend i ndërgjegjes dhe promovimi i gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë, me fokus në shërimin e së kaluarës. Secila prej këtyre kategorive është elaboruar si objektiv më vete.

Midis të tjerash në konkurs për master-plan sqarohet se Projekti për peizazhin kulturor duhet të zhvillojë konceptin koherent dhe multidisiplinar të organizimit hapësinor me rehabilitimin urban të fshatit Prekaz, me konservimin ose ripërdorimin adaptiv të zonave kryesore që shtojnë karakterin e zonës së peizazhit dhe zonave zhvillimore. Aty bëhet e ditur se duhet bërë konservimin dhe interpretimin e ndërtesave, sendeve, ngjarjeve dhe njerëzve që lidhen me vendin më të rëndësishëm të kujtesës në Kosovë. Tregohet se Adem Jashari ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësi i saj, i cili ka hyrë në rrëfimet popullore si Komandanti Legjendar.

Komisioni që është marrë me përgatitjen e konkursit ka paraqitur një dosje nëpërmjet së cilës jepen të dhëna konkrete për ndarjen e zonave, është bërë përshkrimi i ndërtesave sa u përket arkitekturës e historisë që ka ngjarë në ato anë. Po ashtu, ka ndarë zonat dhe ka treguar se si është paraparë të jenë ato. Janë gjithsej 19 struktura arkitekturore që duhet të përfshihen në projekt.

Sipas parimeve të cekura në konkurs, midis të tjerash, koncepti i projektimit duhet të jetë i bazuar në vlera, ku në qendër janë njerëzit dhe i vëmendshëm ndaj mjedisit. Më pas është përcaktuar se duhet të ketë parimin e autenticitetit të shprehjes e identiteti i markës përmes qasjes së projektimit duhet të orientohet drejt gjithëpërfshirjes.

“Karakteret, talentet dhe vizionet e anëtarëve të familjes Jashari, si simbole të dinjitetit të Kosovës, duhet të frymëzojnë interpretimin e lëvizjeve çlirimtare të Kosovës si të bazuara në respektin për traditën, dashurinë për trashëgiminë dhe artet, përkushtimin ndaj arsimit dhe sportit”, shkruhet në dokumentet e konkursit. Më pas ceket se vendi i kujtesës duhet të mbahet i gjallë, duke siguruar kapacitetin e tij për shtimin e vazhdueshëm të kuptimeve të reja që pasqyrojnë zhvillimin shoqëror të bazuar në kujtesë. “Veçoritë fizike luajnë një rol të vogël në vlerat e vendit, strukturat e mbetura të ndërtesave përmbajnë vlera dokumentare dhe emocionale. Vlerat arkitektonike dhe estetike janë më pak të rëndësishme”, shkruhet në konkurs.

Qeveria vazhdimisht ka proklamuar se do të hapet konkurs ndërkombëtar në mënyrë që të nxirren në pah vlerat e Kompleksit dhe zona të jetë hapësirë ku përjetohet një pjesë e historisë së Kosovës. Për këtë disa herë ka folur vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Do të sigurohemi që ekspertiza më e mirë kombëtare dhe ndërkombëtare të jetë e angazhuar në hartimin dhe zbatimin e projektit për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’. Kjo, sepse siç specifikohet edhe në Ligj: ‘Kompleksi memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike, kulturore e qytetare për Skenderajn, Drenicën, Kosovën dhe tërë kombin shqiptar’”, kishte thënë kryeministri Kurti në maj të vitit 2021 në mbledhjen e komisionit ndërministror për Kompleksin.

Shteti prej vitit 2004 me Ligj të veçantë kishte shpallur kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” si hapësirë me interes të veçantë. Më pas në nëntor të vitit 2018 me Ligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz ishte ripërcaktuar statusi i Kompleksit dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij. Në Ligj që ka zëvendësuar atë të 2004-s përcaktohet se Kompleksi posedon 450 hektarë dhe, sipas analizës së ndikimit buxhetor, asokohe parashihej të investoheshin 21 milionë euro. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti për këtë Kompleks memorial deri më tash janë shpenzuar 1 milion e 842 mijë euro. Telashet me ankesa në OSHP MKRS-në janë duke e ndjekur edhe në një tjetër projekt kapital. Atë për teatrin e operës dhe baletit. Pikërisht zbulimi i identitetit të ofertuesve rrezikon t’ia anulojë këtë procedurë të gjatë. Ekspertët e angazhuar nga OSHP-ja e kanë rekomanduar këtë.

Related posts

Ristucca ia dorëzon komandën e KFOR-it, gjeneralit turk Ulutas

admin

Ndërsa thellohet kriza e kostos së jetesës në Gjermani, shumë fëmijë rrezikojnë të përballen me varfërinë

admin

Vatikani sanksionon laureatin e Nobelit pas akuzave për abuzim seksual

admin