RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Mattarella: Pa Ballkanin Perëndimor bashkimi i kontinentit do të jetë i paplotë

mattarella:-pa-ballkanin-perendimor-bashkimi-i-kontinentit-do-te-jete-i-paplote

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur me një ceremoni shtetërore Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, ku pas takimit mes tyre dhe takimit mes delegacioneve mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Begaj ka deklaruar se Shqipëria dhe Italia janë dy vende me lidhje të hershme dhe të qëndrueshme ndër shekuj, sipas tij, vende mike me një afërsi jo thjesht gjeografike, por në radhë të parë historike, kulturore, shpirtërore e njerëzore.

Ai shtoi se lidhja mes dy vendeve, “na siguron se popujt tanë do të vijojnë të mbështesin paqen, fqinjësinë e mirë, solidaritetin vëllazëror dhe rrugëtimin tonë të përbashkët në vlerat më të mira evropiane”.

– Begaj: Marrëdhënia me Italinë është e një rëndësie parësore për Shqipërinë

“Në rrugëtimin e saj euro-atlantik, Shqipëria ka qenë me fat që ka gjetur tek Italia, një mike të vyer dhe mbështetëse të pakursyer të përpjekjeve për integrim. Ne jemi mirënjohës që politika e jashtme italiane, prej vitesh, e ka përcaktuar si prioritet të saj integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke mbetur e palëkundur në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh se prej dekadash, marrëdhënia me Italinë është e një rëndësie parësore për Shqipërinë, e ngritur në nivelin e një partneriteti strategjik, duke shtuar se “Italia është partneri ynë i parë tregtar, ndër donatorët kryesorë bilateral dhe nga investitorët më të rëndësishëm, si për nivelin e financimeve, ashtu edhe për spektrin e ndihmës së ofruar”.

“Me Presidentin biseduam për rëndësinë e ruajtjes së peshës së BE-së dhe NATO-s në rajon. Vendet e Bashkimit Evropian duhet të ndihmojnë Ballkanin, që të vijojë i palëkundur në rrugëtimin euro-atlantik pa lënë hapësira influence, që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë larg rajonit. Ne e vlerësojmë si shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit prezencën e KFOR-it në Kosovë, si një prezencë që reflekton paqe dhe stabilitet”, tha më tej Begaj.

– Mattarella: E ardhmja e Shqipërisë është në Evropë

Presidenti italian, Mattarella, theksoi se Italia dhe Shqipëria janë dy vende që lidhen nga një miqësi historike, nga një dialog në nivel dypalësh shumë të fuqishëm, sipas tij, një dialog që gjen mbështetje edhe në deklaratën e përbashkët të partneritet strategjik që është nënshkruar mes dy vendeve.

“Lidhja mes Italisë dhe Shqipërisë rritet dhe ushqehet më tej edhe nga prania e shumtë në numër si e komunitetit shqiptar në Itali, ashtu edhe e komunitetit italian në Shqipëri. Janë marrëdhënie që na lidhin edhe nga përkatësia jonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe shpresoj që shumë shpejt të lidhemi edhe nga përkatësia jonë e përbashkët në Bashkimin Evropian”, tha Mattarella.

Ai theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve është i fuqishëm edhe në aspektin ekonomik sepse shkëmbimi ynë ekonomik me të vërtetë është shumë i fuqishëm.

“Ne e dimë që e ardhmja e Shqipërisë është në Evropë dhe pa Ballkanin Perëndimor bashkimi i kontinentit do të jetë i paplotë, nuk do të ishte i realizuar plotësisht”, u shpreh Mattarella.

Ai shtoi se situata në Ukrainë ngjall mjaft shqetësim dhe se “Italia vazhdon të mbështesë Ukrainën, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Mattarella është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, si dhe do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të vendit. /aa

Related posts

Kupola termike po ‘pjek’ Evropën, temperatura mbi 40 gradë dhe fenomeni “El Nino”!

admin

Rreth 100 emigrantë të shpëtuar në brigjet e Libisë mbërrijnë në Salerno të Italisë

Muhamet Ramadani

Blinken viziton Ukrainën, rikonfirmon mbështetjen e SHBA

admin