RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Mbetet i lartë rreziku për destabilizim të veriut

mbetet-i-larte-rreziku-per-destabilizim-te-veriut

Me dhjetëra uniforma të Policisë së Serbisë janë gjetur dhe konfiskuar në një shtëpi në Leposaviq. Këtë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e kualifikoi si dëshmi se mekanizmat e sigurisë së Serbisë mbeten përgjegjës të tentativave për destabilizim. E njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se ky rreziku është ende prezent në veri.

Dëshmi të përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e veriut të Kosovës e ka cilësuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, konfiskimin e dhjetëra uniformave të Policisë Speciale serbe dhe asaj të rregullt, në një shtëpi në fshatin Isev të Leposaviqit.

Bashkë me këto uniforma, në aksionin e policisë janë gjetur edhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës.

Sveçla, nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale, ka dhënë zotimin se forcat e rendit do të parandalojnë çdo përpjekje të tillë për destabilizim.

“Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi e tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë. Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet”, ka shkruar ministri Sveçla.

Kontrollet në veri janë shtuar, prej kur në shtatorin e vjetëm një grup paraushtarak sulmoi policinë në fshatin Banjskë. Në sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku, por policia arriti t’i vrasë tre sulmues e tre të tjerë t’i kapë të gjallë, ndërkaq jashtë kufirit kanë mbërritur të ikin dhjetëra të tjerë, duke lënë pas një arsenal armatimi në vlerë rreth 6 milionë euro.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, i cili atëkohë ishte nënkryetar i Listës Serbe.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë të shtunën se grupi i terrorist serb i udhëhequr nga Radoiçiq është duke lëvizur shpesh afër kufirit të Kosovës. Sipas tij, ky grup paraqet kërcënim për sigurinë e shtetit, derisa mbetet i pandëshkuar për sulmin në Banjskë.

“Nga drejtori i policisë disa herë është theksuar fakti dhe janë prezantuar informacionet për përfshirjen e këtij grupi në përgatitjet e ndryshme brenda territorit të Serbisë. Kjo mban situatën fragjile dhe paraqet kërcënim për vendin tone, duke i shtuar faktin se ky grup ka qenë i mbështetur nga strukturat e sigurisë së Serbisë, duke marrë parasysh evidencat që janë gjetur, me theks të veçantë sistemet e armatimit që janë përdorur nga ky grup që kanë qenë sisteme të prodhuara në fabrika në Serbi dhe që nuk mund të blihen në treg komercial”, ka thënë ai në një intervistë për KP. “Fakti që ky grup vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe që lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës, vazhdon të mbetet një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin”.

E, tek ka komentuar konfiskimin e uniformave një natë më parë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, thotë se prania e tyre shpërfaq planet e grupeve kriminale serbe për tensionim të situatës në veri.

Ai thotë se gjetja në baza pothuajse të përditshme të armëve e mjeteve të tjera me motive terroriste është një tregues se rreziku në veri është ende prezent.

“Mund të themi se është një tregues i qartë se grupet kriminale serbe, të cilat kishin bërë një sulm në vitin e kaluar, përkatësisht më 24 shtator të vitit 2023, kishin edhe njësi të tjera të cilat ishin vendosur në qytete apo lagje të ndryshme të katër komunave me shumicë serbe në veriun e Mitrovicës. Këto prova dhe dëshmi janë tregues të qartë se ekziston akoma rreziku apo se Kosova është seriozisht e ekspozuar për eskalimin e situatës së sigurisë”, i ka thënë KOHËS Elezi.

Pas sulmit në Banjskë, autoritetet kanë intensifikuar edhe veprimet për blerjen e më shumë armëve.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar një ditë më parë për KOHËN se tashmë është kryer pagesa e parë për raketat antitank, “Javelin”.

“Ne jemi në proces për blerjen, pra prokurimin e këtij sistemi. Ne kemi ekzekutuar tanimë pagesën e parë për këtë sistem, pra që nënkupton se jo vetëm që është miratuar, por jemi në proceset në vazhdimësi për të pasur në inventarin tonë këtë sistem. Pra është çështje e kryer, Javelin do të jetë pjesë e inventarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci.

Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. Kërkesa i ishte dërguar Kongresit Amerikan, i cili miratoi blerjen në shkurt të këtij viti.

Departamenti Amerikan i Shtetit pati deklaruar se shitja e armëve në Kosovë mbështet qëllimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të ShBA-së.

Sistemi raketor që drejtohet automatikisht dhe arrin distancën deri në 4.000 metra u bë i njohur në luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë.

Ngritja e kapaciteteve mbrojtëse bëhet në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.

Veç Shteteve të Bashkuara, mbështetëset kryesore në armatosjen e Kosovës janë: Turqia, Gjermania, Britania, Italia e Kroacia.

Në periudhën prej vitesh parashihet edhe rritja e numrit të këmbësorisë mbrojtëse të FSK-së, e cila do të përbëhet nga 5 mijë trupa aktive.

Related posts

Çavuşoğlu: Politika e jashtme turke ka ndihmuar në zbutjen e kërcënimit të krizës globale ushqimore

admin

Presidenti turk pret në takim në Stamboll shefin e Hamasin

admin6

Vuçiq i Serbisë kërkon miratimin e NATO-s për të dërguar forca në veri të Kosovës

admin