Më shumë se 100 aktorë, muzikantë, shkrimtarë, akademikë dhe aktivistë i kanë bërë thirrje Spanjës të refuzojë kërkesën e SHBA-së për ekstradimin e milionerit amerikan dhe aktivistit propalestinez James “Fergie” Chambers, duke e cilësuar çështjen kundër tij si “persekutim politik”, transmeton Anadolu.
Aktorët Richard Gere, Carlos Bardem dhe Cynthia Nixon, aktivistet Angela Davis dhe Greta Thunberg, si dhe muzikantët Brian Eno, Roger Waters dhe Thurston Moore janë mes nënshkruesve të peticionit.
41-vjeçari Chambers u arrestua në Ibiza më 10 korrik me kërkesë të autoriteteve amerikane dhe vazhdon të mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht në Spanjë, në pritje të një vendimi për ekstradimin e tij të mundshëm.
Deklarata e përbashkët akuzon administratën e presidentit Donald Trump se po e vë në shënjestër Chambersin për shkak të punës së tij humanitare dhe mbështetjes për palestinezët.
“Shteti spanjoll, ligjërisht, mund dhe duhet ta parandalojë këtë ekstradim dhe t’i ofrojë Fergiet mbrojtje ndërkombëtare përmes njohjes së të drejtës së tij për azil politik”, thuhet në deklaratë.
Në peticion thuhet se Chambers, ish-trashëgimtar i pasurisë së familjes Cox, ka dhuruar më shumë se 1 milion dollarë për projekte humanitare në Gaza, përfshirë 250.000 dollarë për Sameer Project për iniciativa të tilla si një furrë buke që ofron bukë falas, një impiant për shkripëzimin e ujit dhe një klinikë mjekësore në Jabalia.
Sipas peticionit, 100.000 dollarë të tjerë janë përdorur për mbështetje të shëndetit mendor dhe ndihmë psikosociale për fëmijët jetimë.
Sipas raportimeve të mediave, SHBA-ja kërkon ekstradimin e 41-vjeçarit lidhur me akuza që përfshijnë pastrim parash dhe mbështetje për organizata terroriste, megjithëse akuzat e sakta mbeten të paqarta pasi aktakuza amerikane është e vulosur.
Çështja thuhet se përqendrohet në pretendimet se ai ka pastruar 7,5 milionë dollarë të transferuara nga një llogari bankare amerikane në Tunizi, ku jetonte, dhe se i ka përdorur këto mjete për të mbështetur Hamasin.
Partnerja e Chambersit, regjisorja Stella Schnabel, i tha të përditshmes spanjolle El Pais se paratë në fjalë i kishin shkuar klubit tunizian të futbollit Club Africain për të shlyer borxhet dhe pagat e prapambetura, si dhe për të financuar infrastrukturën sportive.
Avokati i tij, Baltasar Garzon, në një intervistë për The Guardian të publikuar të martën, tha se çështja është “shumë e çuditshme” dhe e përshkroi aktakuzën si “të dobët dhe të paqartë”.
“Është për t’u theksuar se ndihma humanitare dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut po kriminalizohen. Është një rast persekutimi dhe ata nuk do të jenë në gjendje të gjejnë as edhe një cent të drejtuar për akte terroriste apo të dhunshme”, tha Garzon.

