Sot në SHBA shënohet Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit për Dhunën me Armë dhe lidhur me këtë, në të gjithë vendin debatohet për dhunën me armë.
Sipas të dhënave të Arkivit të Dhunës me Armë (GVA), i cili arkivon ngjarjet e dhunës me armë në SHBA, këtë vit janë kryer 268 sulme të armatosura masive.
Në pesë muajt e fundit në vende të ndryshme të SHBA-së kanë humbur jetën 17 737 persona në incidentet e dhunës me armë ndërsa 14 723 të tjerë janë plagosur.
Viktimat e incidenteve të dhunës me armë të moshës midis 0-11 vjeç është regjistruar të jenë 113, kurse mes moshave 12-17 vjeç gjenden 642 fëmijë.
Numri i të plagosurve të moshave 0-17 vjeç është 1 894.
Në ngjarjet e dhunës me përfshirje të policisë humbën jetën 587 persona ndërsa 361 të tjerë u plagosën.
Sipas GVA, numri i të vdekurve nga dhuna me armë në vitin 2022 ishte 44 362 ndërsa 38 592 të tjerë ishin plagosur.
GVA përdor kriteret e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) për të përcaktuar përkufizimin mbi “sulmet e armatosura masive”.
Sipas kësaj, sulmet armatosura me bilanc të paktën katër të vdekur pa përfshirë sulmuesin, vlerësohen si “sulme të armatosura masive”.
Ky përkufizim nuk përfshin aktivitete kriminale fitimprurëse, vrasje familjare ose akte të ngjashme dhune. Në faqen e GVA, sulmet masive përshkruhen kryesish “si një fenomen amerikan”.
Kultura e armatimit është një nga çështjet më të diskutuara në SHBA, vendi ku përjetohen sulmet më masive të armatosura në botë.
Nga politika deri te shoqëria civile, palët kundër armëve në vend shprehin kërkesat e tyre për kufizime ligjore të së drejtës për armatim individual.
SHBA-ja njihet si i vetmi vend në botë ku armët në pronësi të civilëve janë më shumë se popullsia e vendit.
Në hulumtimin e kryer pas sulmit të armatosur në shkollë më 24 maj 2022 ku humbën jetën 21 persona, përfshirë 19 fëmijë në Teksas të SHBA-së, ishte zbuluar se për çdo 100 persona janë 120,5 armë.
Me këtë shifër SHBA-ja e zë vendin e parë me armatimin individual.
Vlerësohet se 393 milionë nga 857 milionë armët në pronësi të civilëve në botë janë në SHBA, që korrespondon me afërsisht 46 për qind të stokut botëror.
Bëhet e ditur se në SHBA, ku çdo vit ndodhin të shtëna masive, katër në çdo 100 mijë persona vdesin si pasojë e dhunës së armatosur dhe kjo normë është 18 herë më shumë se mesatarja në vendet e tjera të zhvilluara.
Sipas të njëjtit hulumtim, në SHBA, që ka vetëm 4 për qind të popullsisë së botës, ndodhin 44 për qind e vetëvrasjeve me armë zjarri në botë.
SHBA-ja është një nga tre vendet në botë ku mbajtja e armës është një e drejtë kushtetuese. /atsh