Më shumë se 20 emigrantë kubanë dyshohet se janë zhdukur në brigjet e Floridës, pasi anija e tyre është fundosur për shkak të motit të keq.
Patrulla Kufitare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Roja Bregdetare janë duke i kërkuar emigrantët e zhdukur, njoftoi të mërkurën BBC-ja.
Shefi i patrullës së Patrullës Kufitare në Miami, Walter Slosar, tha se oficerët e tij bashkë me policinë lokale ishin alarmuar për zbarkimin e katër emigrantëve në Stock Island.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se emigrantët kanë notuar, pasi anija e tyre ishte fundosur.
Policia ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi për të gjetur 23 personat e tjerë që besohet se ishin brenda anijes.
Të martën, shtatë emigrantë kubanë u arrestuan, pasi arritën në SHBA në Pompano të Floridës. /koha