Më shumë se 500 incidente janë raportuar në objektet e institucioneve arsimore dhe përreth tyre gjatë vitit shkollor 2021-2022. Bazuar në të dhënat e Policisë, sivjet është regjistruar rritje e incidenteve të dhunshme krahasuar me katër vjetët paraprakë. Ndonëse asnjë rast nuk ka përfunduar me fatalitet, nxënësit kanë vlerësuar se siguria në institucionet arsimore nuk është në nivelin e duhur. Njohësit e çështjes së sigurisë kanë thënë se nevojitet rritja e pranisë së forcave policore në institucionet arsimore.
549 incidente në dhe përreth objekteve të institucioneve arsimore janë evidentuar gjatë vitit shkollor 2021-2022, shifër kjo që bazuar në të dhënat nga Policia përbën rritje krahasuar me katër vjetët paraprakë.
Prej 477 incidenteve të raportuara gjatë vitit 2018 dhe 490 në vitin 2019, më 2020 Policia ka regjistruar 221 incidente, ndërsa më 2021 pothuajse dyfish më shumë, 413 raste të dhunës. Rënie në shifra ka pasur vetëm gjatë periudhës së pandemisë, kur procesi mësimor zhvillohej kryesisht nga distanca.
Një bilanc i këtillë ka nxitur shqetësimin për sigurinë në institucionet arsimore, e cila është vlerësuar si jo në lartësinë e duhur.
Puhiza Shemsedini, nxënëse në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, ka numëruar si shqetësime kryesore shtimin e rasteve të dhunës fizike dhe të përdorimit të substancave narkotike në shkolla.
“Në Prizren ende kujtohet rasti kur është therur një djalë 15-vjeçar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe ka humbur jetën. Rasti ka ndodhur në afërsi të shkollës dhe krejt problemi ka filluar në shkollë ndërmjet nxënësve të shkollës dhe ende kemi probleme të tilla. Ende kemi dhunë seksuale, ende kemi therje me thikë dhe me armë të ndryshme”, ka bërë të ditur ajo.
Sipas regjistrit të Policisë, gjatë këtij viti asnjë rast i dhunës nuk ka rezultuar me fatalitet.
Megjithëkëtë, gjimnazistja Shemsedini e konsideron të nevojshëm shtimin e numrit të psikologëve në shkolla, në mënyrë që të parandalohen rastet e dhunës.
“Mua personalisht më ka shqetësuar se çka po ndodh në shkolla. Përdorimi i duhanit, i lëndëve narkotike janë krejt disa dukuri negative që psikologu kishte mund t’i shtjellonte bashkë me nxënësit dhe me mekanizma të ndryshëm të shkollës që duhet të merren me nxënësit për sa u përket këtyre çështjeve”, ka theksuar ajo.
Gjatë muajit qershor, Policia në Ferizaj kishte konfiskuar pistoleta, pushkë, thika dhe drogë në kuadër të një aksioni në dhe përreth disa objekteve shkollore.
“Gjithashtu janë bastisur dhe kontrolluar disa lokale, shtëpi dhe objekte përcjellëse, ku si prova materiale janë konfiskuar pesë armë zjarri (pistoleta), dy armë të gjata gjysmautomatike, një sasi municioni, 40 thika të nxënësve të shkollave të mesme, 10 boksa metali te nxënësit e shkollave të mesme, 6 mullinj për bluarje të marihuanës, katër shufra metali dhe një elektroshok”, është bërë e ditur në njoftimin e Policisë pas aksionit.
Aksioni me emrin e koduar “Siguria në shkolla 2022” është paralajmëruar që të vazhdojë edhe në shtator, në kohën e nisjes së procesit mësimor, me justifikimin e parandalimit dhe luftimit të dukurive negative nëpër shkolla dhe afër tyre.
Drizan Shala, njohës i çështjes së sigurisë, ka kërkuar që të shtohet prania e forcave policore nëpër institucione arsimore, pasi që e ka kualifikuar joefektive metodën e përdorur në disa shkolla për angazhimin e kompanive private për sigurim fizik.
“Duhet angazhim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, respektivisht nga Departamenti për Siguri Publike. Të angazhohen zyrtarë policorë në institucione përkatëse shkollore, si punë sekondare ndaj të cilëve pagesa do të bëhej nga drejtoritë komunale të arsimit”, ka theksuar ai.
Për rritjen e sigurisë në shkolla, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është themeluar në qershor Forumi Nacional si një organ këshillëdhënës për ministrinë, në kuadër të së cilës përfshihen policia, drejtoritë e arsimit dhe mësimdhënësit bashkë me nxënësit.
“Nisma për themelimin e këtij forumi përmbush një nevojë të vazhdueshme të komunitetit të shkollave dhe është në vazhdën e zhvillimit të politikave që sjellin arsim më cilësor për të gjithë”, ka shkruar Ngavaci në një njoftim publikuar gjatë muajit korrik.