RTV AHIRETI
arsimFeaturedKosovëLajmeLajmet

Mbipopullimi i shkollave në kryeqytet ndikon në cilësi

mbipopullimi-i-shkollave-ne-kryeqytet-ndikon-ne-cilesi

Shkolla fillore “Pavarësia” në Prishtinë, për shkak të mbipopullimit, është detyruar që mësimin ta zhvillojë me tri ndërrime me orar të shkurtuar. Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se kjo situatë do të zgjidhet pasi të ndërtohen edhe shkollat e planifikuara në këtë zonë.

Nxënësit e klasës së 6 të shkollës “Pavarësia” në kryeqytet, në lëndën e mësimore ‘Edukata qytetare’ mësojnë të drejtat e tyre që u takojnë si fëmijë. Por mbarëvajtja e mësimit në këtë lëndë me numër të madh të nxënësve mbetet sfiduese.

“Është e vështirë edhe puna e ligjërimit edhe puna e vlerësimit në krahasim me numrin e vogël të nxënësve. Vërehet dallimi. E kemi vërejt dallimin edhe me grupe në kohën e pandemisë kur kemi punuar, se suksesi më i madh arrihet kur numri është shumë më i vogël”, ka thënë për RTK-në Hatixhe Jakupi, mësimdhënëse e lëndës “Edukatë Qytetare”.

1700 nxënës ka aktualisht kjo shkollë, ndërsa objekti ka kapacitet deri 800 nxënës. Si rrjedhojë drejtuesit e shkollës janë detyruar që mësimin ta ndajnë në 3 ndërrime dhe me orar të shkurtuar.

“Ndërresa e parë fillon në 7;30, e dyta në 12 e 20, e treta në 15:40 minuta. Por kjo krejt e bartë edhe një dëm për cilësinë e mësimdhënies të zhvillimit të një procesi edukativo arsimor me pengesa të mëdha sepse kemi qenë të detyruar edhe orët mësimore t’i shkurtojmë nga pak. P.sh. 4 orët e para janë 40 minuta, aty ku janë nga 6 orë, derisa e 5-ta dhe e 6-ta janë nga 35 minuta. Përndryshe, ndërresa e tretë do të shkonte deri në orën 21:00”, ka theksuar Shefki Rusinovci, drejtor i shkollës “Pavarësia”.

Ekspertët e arsimit thonë se mbipopullimi i nxënësve në shkolla kontribuon në uljen e cilësisë në arsim.

“Ajo që na dëshmohet në çdo klasë padyshim që shkollat më 3 ndërrime, janë më shumë të imponuara me kushte jo më të mira të punës për mësimdhënësit, me kushte jo më të mira për mësimnxënie për nxënësit dhe të gjitha këto së bashku, padyshim që na kontribuojnë në një cilësi më të ulët”, është shprehur Rinor Qehaja nga Instituti Edguard.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, tha se deri në shtator të këtij viti, shkollës fillore “Pavarësia” do t’i shtohet edhe një aneks.

“Shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i aneksit dhe parashihet që të bëhet gjatë sezonit të verës. Shpresojmë shumë që të përfundojë gjithçka në shtator sepse është një ankesë që aneksi nuk është shumë i madh. Nga shtatori besoj se nxënësit e shkollës ‘Pavarësia’ do të kenë më shumë hapësira”, ka thënë Besianë Musmurati, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Sipas saj, përurimi i shkollës së re në lagjen “Qëndresa” në Veternik dhe dy të tjerave që do të nisin së shpejti, njëra në Mati 1 dhe tjera në Sofali, do të kontribuojnë në lirimin e hapësirave në shkollën “Pavarësia”.

Related posts

Greqia përgatitet për “stërvitje të njëpasnjëshme” në rajon

admin

Ministri i Jashtëm turk përsërit thirrjen për armëpushim të menjëhershëm në Gaza

admin6

Sot mbahet samiti i procesit Brdo-Brioni, Osmani krah liderëve të rajonit

admin