Reshjet e dendura të borës kanë detyruar mbylljen e përkohshme te aeroportit të Mançesterit këtë mëngjes.
“Shëndeti dhe siguria do të jenë gjithmonë prioriteti ynë kryesor”, thuhej në njoftimin e postuar në Twitter ku shpjegohej bllokimi i dy pistave dhe këshilloheshin pasagjerët të kontaktonin me linjën e tyre ajrore për informacionet më të fundit.
Pas një pezullimi prej 2 orësh e gjysmë, fluturimet kanë rifilluar bashkë me falënderimet e drejtuara pasagjerëve për durimin e tyre.
Ankesat megjithatë nuk munguan, pasi disa udhëtarë shkruan në rrjetet sociale se ishin përballur me vonesa të shumta e pas kësaj, kishin pritur një orë të ulur në avionin që “nuk shkonte askund”.
Pas mbylljes së pistave, një fluturim i Virgin Atlantic nga Atlanta u devijua nga Mançesteri në Londër, sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve FlightRadar24.
Situata e rënduar ishte pasojë e rënies së temperaturave në minus 10 gradë Celsius në disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar gjatë natës, ndërkohë që Mançesteri vetë u vendos nga zyra e Meteorologjisë në paralajmërim të verdhë për një përkeqësim të motit dhe probleme të mëtejshme me borën e akullin. /tch