Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se kjo është koha më e përshtatshme për mbajtjen e votimit.
Ai ka treguar se nga peticioni i organizuar në komunën e Leposaviqit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 3,030 nënshkrime të plotësuara në 304 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 2,905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë.
“Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 13,441 votues, ndërsa 2,689 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, ka thënë ai.
E, nga ai në komunën e Zubin Potokut, ka pranuar për verifikim listën me 1,576 nënshkrime të plotësuara në 158 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezultoi se 1,380 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë.
“Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 6,732 votues, ndërsa 1,347 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, ka theksuar Ahmetaj.
Nga peticioni i organizuar në komunën e Zveçanit, Ahmetaj ka shtuar se KQZ ka pranuar për verifikim listën me 1,834 nënshkrime të plotësuara në 185 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1,714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë.
“Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 7,052 votues, ndërsa 1,411 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”.
Dhe nga peticioni i organizuar në komunën e Mitrovicës së Veriut, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 4,148 nënshkrime të plotësuara në 423 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 3,653 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë.
“Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 18,199 votues, ndërsa 3,640 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”.