RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Më duhej të zgjidhja mes shpëtimit të prindërve apo djalit tim”

“me-duhej-te-zgjidhja-mes-shpetimit-te-prinderve-apo-djalit-tim”

Tayeb ait Ighenbaz u detyrua të zgjidhte nëse do ta shpëtonte djalin e tij 11-vjeçar apo prindërit e tij kur ata u bllokuan nën rrënoja pas tërmetit të së premtes në Marok.

Bariu i dhive nga një komunitet i vogël në malet Atlas thotë se ende është i përhumbur nga vendimi që duhej të merrte.

Tayeb ishte me gruan, dy fëmijët dhe prindërit e tij të premten mbrëma në shtëpinë e tyre të vogël, prej guri kur u trondit nga tërmeti më i madh në vend në 60 vjet.

Teksa tregon shtëpinë e rrënuar, Tayeb drejton gishtin të një kënd i shtëpisë: “Këtu ishin ata”.

“Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Kur ndodhi tërmeti, ne të gjithë vrapuam te dera. Babai im ishte duke fjetur dhe unë i bërtita mamasë sime të vinte, por ajo qëndroi prapa për ta pritur atë”, kujton ai.

Nga ana tjetër, ai mund të shihte vetëm gruan dhe vajzën e tij.

Teksa kthehet në shtëpinë e shkatërruar, Tayeb gjeti djalin dhe prindërit e tij të bllokuar nën rrënoja. Ai mund të shihte dorën e djalit nën rrënoja.

Fillimi nga e para

Ai e dinte se duhej të vepronte shpejt dhe u drejtua në drejtim të djalit të tij, Adamit, duke gërmuar në mënyrë të dëshpëruar nëpër rrënoja për ta nxjerrë jashtë.

Kur iu drejtua prindërve, të bllokuar nën një pllakë të madhe guri, ai thotë se ishte tepër vonë.

“Më duhej të zgjidhja mes prindërve dhe djalit”, thotë ai me lot në sy.

“Nuk mund t’i ndihmoja prindërit e mi, sepse muri ra mbi gjysmën e trupave të tyre. Është shumë e trishtueshme. Pashë me sytë e mi prindërit duke vdekur”.

Tayeb tregon njollat në xhinset e tij me ngjyrë të çelur, duke thënë se ky është gjaku i prindërve të tij.

Të gjitha rrobat e tij ishin në shtëpinë e tij dhe ai nuk ka mundur të ndërrohet që nga tërmeti.

Familja tani jeton me të afërmit në tenda të improvizuara pranë shtëpisë së tyre të mëparshme. Tayeb thotë se të gjitha paratë e tij ishin në shtëpi dhe shumica e dhive të tij kanë ngordhur.

“Është si të fillosh sërish një jetë të re. Pa prindër, pa shtëpi, pa ushqim, pa rroba”, ka theksuar ai. “Unë jam 50 vjeç tani dhe duhet të filloj përsëri”.

Ai nuk mund të fillojë të mendojë se si të ecë përpara, por kujton mësimet që i mësuan prindërit. “Ata gjithmonë thoshin: “Jini të durueshëm, punoni shumë, mos u dorëzoni kurrë”.

Gjersa ai flet, djali i tij Adami vrapon, i veshur me një ndërresë futbolli të Juventusit me emrin e Ronaldos në shpinë, dhe mbështjell duart rreth babait të tij.

“Babai im më shpëtoi nga vdekja”, thotë ai duke buzëqeshur.

Vetëm pak minuta poshtë shtëpisë së tij në qytetin e Amizmizit, babë e bir qëndrojnë me krahët e mbështjellë rreth njëri-tjetrit.

Ruajtja e kujtimeve

Abdulmajid ait Jaefer thotë se ai ishte në shtëpi me gruan dhe tre fëmijët kur ndodhi tërmeti.

Djali i tij, 12-vjeçari Mohamed, doli nga ndërtesa, por pjesa tjetër e familjes mbeti e bllokuar.

Abdulmajid thotë se këmbët e tij ishin bllokuar nën rrënoja, por ai u tërhoq nga një fqinj. Më pas ai kaloi dy orë duke u përpjekur të shpëtonte gruan dhe njërën nga vajzat e tij. Të dyja ishin të vdekura kur ai i nxori nga rrënojat.

Të nesërmen, trupi i vajzës tjetër u nxor nga rrënojat.

Abdulmajid, 47 vjeç, tani është duke fjetur në tendën e vendosur përballë shtëpisë së tij.

Ai mund ta shohë kuzhinën, me frigoriferin ende në këmbë e disa nga rrobat e varura për t’u tharë.

Ai thotë se nuk mund të largohet nga zona, sepse i duhet të “qëndrojë si rojë” mbi pasuritë e tij dhe kujtimet e jetës së tij.

“Kjo është kuzhina ime dhe frigoriferi im. Ne ishim të gjithë aty. Tani vetëm po e shikoj”, thotë ai.

Para së premtes, Abdulmajid ka treguar se “asnjëherë nuk kishte ëndërruar për një tërmet. “Edhe tani, nuk mund ta besoj”.

Ndërsa ai flet, makinat ndalojnë dhe njerëzit përkulen për të shprehur ngushëllime. Të tjerët që ecin në rrugë ndalojnë për ta përqafuar babanë dhe bashkëshortin në zi.

“Në familjen time ishin pesë veta, tani janë dy”, thotë ai i pikëlluar.

“Për momentin po mendoj vetëm për një gjë: djalin tim”. /koha

Related posts

SHBA, besimi i votuesve në rrezik nga inteligjenca artificiale

admin

Asambleja Evropiane jep detaje rreth hapave të ardhshëm që duhet të ndërmarrë Kosova për anëtarësim në KiE

admin

23 aktakuza për krime lufte në Kosovë brenda 3 viteve

admin