RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Me kushte të rrepta Specialja liron Isni Kilajn nga paraburgimi

me-kushte-te-rrepta-specialja-liron-isni-kilajn-nga-paraburgimi

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK)në Hagë kanë njoftuar se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Isni Kilaj, është liruar nga paraburgimi. Por lirimi sipas njoftimit është bërë me vendosjne e kushteve të repta të sigurisë ndaj tij.

Kilaj, i cili ka qenë edhe kryetar i Malishevës, thuhet se është liruar të mërkurën bazuar në vendimin e nxjerrë nga shkalla e parë e Gjykatës më 3 maj, i cili është konfirmuar edhe nga panel i Gjykatës së Apelit i DHSK-së më 13 maj.
Në njoftim thuhet se në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit të Isni Kilajt, gjykatësi ka konstatuar se ende ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

“Gjykatësi i Vetëm konstatoi gjithashtu se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Ai konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga mbrojtja e Kilajt dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e Kilajt për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera”, thuhet në njoftim.

Megjithatë gjykatësi thuhet se ka arritur në përfundimin se zgjatja e paraburgimit të Kilaj në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, siç thuhet, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja.

“Gjykatësi i Vetëm mbajti parasysh se (i) Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuaj gjashtë muaj; (ii) për veprat penale për të cilat Kilaj konsiderohet i dyshuar mund të dënohesh nga një (1) deri në (5) vjet; dhe (iii) kërkesa e kohëve të fundit që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i paraqiti Gjykatësit të Vetëm për pezullimin e shqyrtimit të Aktakuzës së dorëzuar prej saj, për shkak se synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, vonon në mënyrë të konsiderueshme kalendarin e procesit. Për këtë arsye, Gjykatësi i Vetëm vendosi që rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të Kilajt nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se më 13 maj, paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër vendimit. Apeli i ZPS-së fokusohej në kushtet e lirimit të Kilaj të urdhëruara nga Gjykatësi i Vetëm.

Ndonëse është liruar, Kilaj thuhet vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DHSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm.

Në njoftim janë paraqitur edhe kushtet që i janë vendosur Kiljat.

“Duhet t’i japë Administratores një garanci financiare (dorëzani) në shumën 30.000 euro si kusht paraprak për lirimin e tij; nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës, përveçse me leje të një paneli kompetent të DHSK-së dhe t’i dorëzojë Administratores pasaportën dhe çfarëdo dokumenti tjetër udhëtimi të tij; duhet të japë adresën në të cilën do të banojë gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe të paraqitet çdo javë në policinë e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Administratorja; nuk duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike në media dhe/ose mediat sociale lidhur me DHSK-në, ZPS-në dhe ose proceset e DHSK-së, përfshirë deklarata që përmbajnë kërcënime, dhunë ose frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të hetimit penal; duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DHSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës”, thuhet në njoftim.

Gjykatësi ka theksuar se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e Kilajt.

Kilaj është arrestuar nga Gjykata Speciale në fillim të nëntorit të vitit të kaluar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte bërë të ditur se Kilaj është i ngarkuar me vepra penale në të cilat përfshihet pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkelja e sekretit të procedurave.

Ai ishte ftuar për intervistim në Hagë edhe në vitin 2019, porse asokohe nuk pati treguar se në çfarë cilësie.

Related posts

Izraeli bombardon një pikë ushtarake të Hamasit në Gaza

rezart morina

Medvedev: Rusia ka mjaftueshëm armë për të vazhduar luftën në Ukrainë

admin

Franca mobilizon 45 000 policë pas trazirave të frikshme

admin