Mërgimtarë shqiptarë në Gjermani kanë protestuar këtë të shtunë në Berlin, kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Protesta është organizuar nga aktivistë e shoqatave të bashkatdhetarëve, ndërsa është përkrahur edhe nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani.
“Kundër bosnjizimit të Kosovës”, “Vuçiqi vëllai i vogël i Putinit”, “Vuçiqi e do edhe një luftë në Evropë”, “Jo Asociacionit” e “Jo ndarjes etnike”, ishin disa nga pankartat protestuese në Berlin.
Sipas organizatorëve të protestës, qëllimi i saj është “sensibilizimi i opinionit për rrezikun që paraqet themelimi i enklavave njëetnike (serbe) përkatësisht themelimi edhe i një Republika Srpska, për Kosovën dhe tërë rajonin”.
Ndërkaq, edhe në Prishtinë, më 15 shkurt do të protestohet kundër formimit të Asociacionit nga studentët e Universitetit të Prishtinës.