RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

UP: Vajzat po dominojnë drejtimet e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike

up:-vajzat-po-dominojne-drejtimet-e-inxhinierise-dhe-shkencave-kompjuterike

Universiteti i Prishtinës e ka cilësuar si të ardhme të ndritur për Kosovën, fakti që vajzat po dominojnë në drejtimet e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike në UP.

Përmes një komunikate për media të UP-së, trendi i rritjes së numrit të vajzave në drejtimet e shkencave dhe inxhinierisë kompjuterike në UP është jo vetëm në rritje të vazhdueshme, por edhe në ngritje në vlera shumë substanciale, si gati në asnjë universitet tjetër.

“Ndonëse përqindja e vajzave që studiojnë shkenca kompjuterike kudo në botë është e vogël, në një shtet gjeografikisht “të vogël” si Kosova, trendi i të rejave që synojnë karrierë në shkenca dhe inxhinieri kompjuterike—në të kaluarën, të perceptuara kryesisht si “drejtime të meshkujve” – ka shënuar rritje vit për vit, në dekadën e fundit”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se në UP, në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, 50.7% e studentëve janë vajza, ndërkaq në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, nga numri i përgjithshëm i studentëve në këtë departament, në vitin akademik 2021/2022, 55.9% e tyre janë femra.

“Vitin pararendës akademik, pra 2020/2021, ky numër ka qenë edhe më i lartë, në një përfaqësim total prej 61.8%”, thuhet në komunikatën e UP-së.

Por, sipas UP-së situata nuk ka qenë aspak e njëjtë 10 vjet më parë.

“Për shembull, në vitin akademik 2012/2013, në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, vetëm 28.2% kanë qenë femra dhe, një vit më pas, më 2013/2014, kjo përqindje ka qenë edhe më e ulët, përkatësisht 26.8%”.

“Vajzat në TIK po e tejkalojnë edhe mesataren e Bashkimit Evropian. Sipas statistikave aktuale, në këtë fushë, nga numri i përgjithshëm i studentëve, femra del të jenë vetëm 17% e tyre. Kjo është një dëshmi shtesë e përpjekjeve të UP-së dhe vendit për të inkurajuar dhe mbështetur vajzat dhe gratë në këtë fushë”.

E sipas rektorit të Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët me të cilët mund të zhvillohet edhe shteti i Kosovës.

“Zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët kryesorë, të cilët Kosova mund t’i zhvillojë, veçanërisht kur kemi parasysh që popullsia e re e është pasuria më e madhe e vendit. Kjo, kombinuar me talentet e jashtëzakonshme të të rinjve dhe me nevojat në rritje të tregut, ku numri i kompanive që ofrojnë shërbime nga fushat e shkencave kompjuterike është në rritje. Si rezultat, përqendrimi dhe mbështetja e këtyre drejtimeve mbetet një përparësi strategjike, të cilës do t’i kushtohet vëmendje dhe kujdes i veçantë,” theksoi rektori Qerimi, në një takim të zhvilluar me studentet e këtyre programeve në UP.

Related posts

Greva e kontrollorëve ajrorë në Francë, anulohen mijëra fluturime

admin

Britania kërkon marrëdhënie më të ngushtë ekonomike me BE, sugjeron një treg të vetëm për mallrat

admin

“Beogradi është krah Moskës”, Kurti intervistë për Politico: Duam t’i bashkohemi NATO-s!

admin