RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Media izraelite: Një raund i ri bisedimesh mes Izraelit dhe Libanit do të mbahet në Romë javën e ardhshme

media-izraelite:-nje-raund-i-ri-bisedimesh-mes-izraelit-dhe-libanit-do-te-mbahet-ne-rome-javen-e-ardhshme

Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë javën e ardhshme një raund të ri bisedimesh në Romë, raportoi të enjten transmetuesi publik izraelit KAN, transmeton Anadolu.

Bisedimet, të planifikuara për të martën dhe të mërkurën, synojnë të “ngrenë strukturën” që do të verifikojë nëse zonat pilot janë pastruar nga prania e Hezbollahut, raportoi KAN.

Transmetuesi nuk dha detaje se cilat vende ose palë pritet të marrin pjesë në këtë strukturë, si dhe për detyrat apo mënyrën e funksionimit të saj.

SHBA-ja po përpiqet të zgjerojë zonat nga të cilat forcat izraelite do të tërhiqen dhe kontrollin e të cilave do t’ia dorëzojnë ushtrisë libaneze, shtoi ai.

Deri në kohën e publikimit, nuk kishte reagim nga Libani lidhur me raundin e ri të raportuar të bisedimeve.

Libani dhe Izraeli kanë zhvilluar shtatë raunde negociatash të drejtpërdrejta që nga 14 prilli, pesë në Washington dhe dy të fundit në Romë. Hezbollahu i ka kundërshtuar vazhdimisht bisedimet dhe i ka bërë thirrje qeverisë që t’i ndërpresë ato.

Raundi i gjashtë rezultoi në një marrëveshje paraprake për përcaktimin e dy “zonave pilot”, ku do të fillonte zbatimi i tërheqjes izraelite.

Raportimi për raundin e ri të bisedimeve vjen pasi ushtria libaneze tha të mërkurën se ka regjistruar 7.700 shkelje izraelite që nga nënshkrimi i marrëveshjes kornizë më 26 qershor, duke paralajmëruar se vazhdimi i shkeljeve kërcënon mirëkuptimet dhe marrëveshjet ekzistuese.

“Formula kornizë” parashikon një tërheqje graduale të Izraelit nga të gjitha territoret e pushtuara libaneze, duke filluar me një model në dy zona pilot.

Sulmet izraelite ndaj Libanit kanë vazhduar pavarësisht marrëveshjes kornizë, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga të gjitha territoret e pushtuara, në këmbim të vendosjes së ushtrisë libaneze në këto zona.

Izraeli mban nën pushtim zona në jug të Libanit, disa prej të cilave prej dekadash dhe të tjera që nga lufta e viteve 2023–2024, ndërsa gjatë ofensivës së tij në vazhdim ka zgjeruar praninë brenda territorit libanez.

Related posts

Mbi 800 civilë të vdekur në Sudan, përleshjet hyjnë në muajin e dytë

admin

Hyn në javën e tretë rrethimi i paligjshëm izraelit ndaj shtëpive në Qusra

Muhamet Ramadani

A do lejojnë arabët e Gjirit që të “kafshohen prej gjarprit” përsëri nga e “njëjta vrimë”?

RTI