Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka folur për blerjen e dronëve Bayraktar.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka shkruar se Kosova do të jetë vendi i 33-të që anëtarësohet në NATO.
Sipas tij, Kosova detyrat e saj do t’i kryejë me përkushtim dhe do ta realizojë aspiratën e anëtarësimit në NATO.
“Që nga dita kur kam marrë mandatin si ministër në Qeverinë Kurti -II-, prioriteti im kryesor ka qenë blerja e armatimit dhe pajisja e FSK-së me armatim modern të teknologjisë së fundit, të cilat gjithnjë janë sipas standardeve të NATO-së. Dronët Bayraktar janë lloji më i fundit i armatimit të cilat i kemi blerë, posedimit i të cilave kam vlerësuar së është i domosdoshëm për mbrojtjen e vendit tonë. Ky proces nuk ka qenë i lehtë, por me mbështetjen e pakursyer të Kryeministrit Kurti, të Qeverisë dhe gjithashtu mbështetje të fuqishme ndërkombëtare me të cilët do të vazhdojmë të rrugëtojmë krah për krah gjithmonë, kemi arritur të përmbyllim me sukses edhe këtë projekt madhor”, ka thënë ai.
Sipas tij, dronët Bayraktar nuk janë pajisjet e vetme që FSK-ja ka në posedim, pasi thotë të jenë furnizuar e vazhdojnë të furnizohen çdo ditë për të ngritur kapacitetet.
“Projektet në vazhdim do të jenë hapa të mëdhenj drejt zhvillimit të forcës tonë. FSK-ja me shpirtin luftarak të trashëguar nga UÇK-ja dhe me pajisjet moderne që po i sigurojmë çdo ditë, bëhet ushtri e pathyeshme dhe garantuese e paqes. Republika e Kosovës duhet të jetë vendi i 33 që anëtarësohet në NATO, detyrat tona në këtë rrugë do t’i kryejmë me përkushtim dhe së bashku do ta realizojmë edhe këtë aspiratë”, ka thënë ai.