Mes luftës brutale në Gaza, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, po viziton Shqipërinë për herë të parë që pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në deklaratë e përbashkët për shtyp me Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, tha se “Shqipëria është një mbështetëse mjaft e madhe e armëpushimit dhe se mirëpret çdo përpjekje të mundshme për të sjellë në shtëpi pengjet e për të nisur një proces të ri për të mirën e të gjithë njerëzve”.
“Shqipëria e konsideron Izraelin dhe marrëdhëniet me popullin hebre pjesë të historisë krenare të një vendi të vogël, që kanë shkruar një faqe shumë të bukur në historinë e botës, duke qenë vendi europian i vetëm që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara”, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tha se shteti shqiptar qëndroi krah hebrenjve gjatë kohëve të vështira, duke përmendur strehimin e tyre gjatë holokaustit.
“Shqiptarët dhe hebrenjtë në mënyrë korrekte ndajnë një histori të gjatë dhe domethënëse. Hebrenjtë e mbarë Europës gjetën strehë në Shqipëri gjatë Holokaustit që është një dëshmi e traditës etike të rrënjosur thellë të shqiptarëve të çdo besimi fetar dhe shpirtit të jashtëzakonshëm të popullit shqiptar”, u shpreh presidenti izraelit, Isaac Herzog.
Ndërkohë, më herët Herzog u prit në një takim edhe nga Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj. Kjo është vizita e parë e një Presidenti izraelit në Shqipëri, që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Një ditë më parë Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, qëndroi për vizitë edhe në Serbi.
TRT Balkan