Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dha të enjten mesazhin me rastin e festës së Fitër Bjaramit. Ai potencoi se nga muaji i Ramazanit besimtarët do të dalin më të dëlirë, më human e më të afërt me njëri-tjetrin. Tërnava tha se porositë e muajit të Ramazanit duhet të shoqërojnë besimtarët edhe në muajt e tjerë.
Tërnava u shpreh se sonte në kohën e iftarit, besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të Ramazanit, gjatë të cilit, siç tha, me përkushtim, bindje e devotshmëri, besimtarët kryen një nga kushtet themelore të besimit islam.
Ai tha se agjërimi i muajit Ramazan është adhurim, të cilin besimtari e kryen vetëm për hir të krijuesit.
“Gjatë një muaji të tërë ishim sikur asnjëherë tjetër bashkë në adhurime, falje e lutje. Ishim bashkë në syfyre e iftare… Treguam solidaritet, mbështetje, respekt e dashuri…Ramazanin po e përcjellim të lumtur që krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë nimetet e tij e nesër krenarë e faqebardhë, me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit…Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë.”, tha ai.
Myftiu Tërnava u shpreh se jemi të sigurt se nga muaji i Ramazanit besimtarët do të dalin më të dëlirë, më human e më të afërt me njëri-tjetrin, më solidarë e më të fisnikruar.
Ai tha se porositë e muajit të Ramazanit duhet të shoqërojnë besimtarët edhe në muajt e tjerë.
“Nimetet e mësimet e porositë e muajit të bekuar Ramazan duhet të na shoqërojnë edhe në muajt e tjerë, e para prej tyre është kujdesi ndaj familjes, ruajtjes së saj si dhe rritës dhe edukimit të drejtë të saj. Vetëm një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë është themeli për një komunitet e shoqëri me vlera e parime fisnike.”, tha ai.
Myftiu Tërnava tha se është obligim i yni që Kosovën ta ndërtojmë dhe ta bëjmë më prospektive. Ai u shpreh se braktisja e vendit nuk është zgjidhja e duhur siç tha ,ai nga të rinjtë dhe ekspertët tanë.
Në natën e madhe të Bajramit, Tërnava luti Zotin për mirësi, begati, paqe e harmoni.
“Dashtë Zoti që vendi ynë me angazhimin tonë të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet. Vëllezër dhe motra, në këtë natë të madhe, në vigjilje të festës së Fitër Bajramit, lusim Zotin për mirësi, begati, paqe, harmoni, larg zënkave e konflikteve, sherreve e egove të dynjasë. Duke iu uruar e përgëzuar, lutem që në familjet tona festa e Fitër Bajramit të na sjellë ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi. Agjërim, lutje e ibadete të pranuara!”, shtoi ai.
Muaji më i rëndësishëm i besimtarëve myslimanë, Ramazani do të përfundojë ditën e enjte, më 20 prill 2023. Dita e parë e festës së Fitër Bajramit është të premten, më 21 prill.