Në ditën kur do të fillojë procesi mësimor, të premten e 1 shtatorit, prindërve është premtuar se do t’u ekzekutohen në xhirollogari paratë për blerjen e teksteve shkollore. Drejtorët komunalë të arsimit, që e mbajtën një takim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, thanë se ky premtim iu dha gjatë bisedimeve, që sipas tyre, nuk sollën zgjidhje për problematikën me librat.
Fillimi i vitit të ri shkollor do të nisë zyrtarisht më 1 shtator e pa tekste shkollore, pasi që mjetet e subvencionimit për blerjen e librave do t’u ekzekutohen prindërve në xhirollogaritë bankare, tek të premten, njoftuan drejtorët komunalë të Arsimit.
Këtë e thanë pasi të martën e mbajtën një takim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ditë më parë e bëri zotimin se mjetet e parapara për blerjen e librat do të alokohej që prej fillimit të kësaj jave.
E në takim, drejtorët komunalë të Arsimit thanë se nuk arritën të marrin përgjigje nga Nagavci për çështjet me rëndësi.
“Këtë e kërkuam prej ministres se a ka menduar ndonjë lloj të mekanizmit se qysh kemi me ditë në sa shkolla, në sa ka furnizime. Çka do të ndodhë nëse fillon humbja e orëve, a do të ketë zëvendësime të orëve e kështu me radhë, por prapë se prapë nuk morëm përgjigje për këto pyetje”, tha drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati.
E në linkun në E-Kosova që Ministria e hapi për subvencionim, jo të gjithë prindërit kanë mundur arritur të aplikojnë, shkaku i kufizimit të moshës prej 6 deri në 11 vjeçe.
Kjo çështje, sipas drejtorit komunal të Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, është ngritur në takim me Nagavcin porse pa rezultat konkret.
“Nga ministria na u dha një sqarim se ata janë duke bashkëpunuar me Agjencinë Shtetëror të Informacioneve, ku do të mundohen pastaj që ta bëjnë një listim të këtyre nxënësve përmes verifikimit që do të bëhet përmes e-mail. Ne do të mundohemi si drejtorë të shkollave të paraqesim këtë problematikë te shkollat te mësimdhënësit që të mundësohet aplikimi”, tha Llabjani.
Në Ministri thanë për KOHËN se deri më tani pranuan 500 raste të tilla e të cilat, siç theksuan, do të trajtohen në bashkëpunim me drejtoritë e Arsimit dhe shkollat, për verifikim të aplikimeve.
Dhjetë ditë para nisjes së procesit mësimor, Ministria e Arsimit njoftoi se i ka dështuar tenderi negociues me shtëpitë botuese, të cilat i akuzoi për ofertim të çmimeve shumë më të larta se 4.5 milionë euro, sa ishin paraparë për tender. Por sipas drejtorëve, bazuar në të dhënat që u janë paraqitur në takim nga Ministria për çmimet e librave, kostoja është e njëjtë me atë që e ofrojnë shtëpitë botuese në librari.
Subvencionimi për rreth 120 mijë nxënës në nivelin fillor, do t’i kushtojë Ministrisë rreth 10 milionë euro.