Mijëra demonstrues propalestinezë dolën sot në rrugë në qytetin suedez Malmo në ditën e dytë të Konkursit të Këngës Eurovision në shenjë proteste kundër pjesëmarrjes së Izraelit në këtë festival, raporton Anadolu.
Protesta erdhi mes tensioneve të rritura në vend lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit në festivalin e këngës, pasi ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 34.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur dhjetëra mijëra të tjerë gjatë ofensivës vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Grupet propalestineze organizuan protesta të mëdha në qytetin pritës të Eurovizionit me një tjetër demonstratë të planifikuar të shtunën.
Policia suedeze vlerëson se gjatë dy ditëve, 100.000 demonstrues do të vijnë në qytet, sipas transmetuesit kombëtar SVT Nyheter.
Protesta e sotme vlerësohet të ketë tubuar dhjetëra mijëra njerëz në ditën kur konkurrentja izraelite e Eurovizionit do të performojë këngën e saj në gjysmëfinale, thanë mediat lokale.
Mbi 20.000 njerëz nga vende të ndryshme evropiane pritet gjithashtu të udhëtojnë në Malmo për të protestuar kundër pjesëmarrjes së Izraelit në konkursin muzikor.
Rrjeti i Palestinës ka marrë iniciativën për të organizuar demonstrata dhe aktivitete të tjera kulturore në qytet gjatë javës së Eurovizionit, tha transmetuesi.
Një grup tjetër i quajtur Grupi i Palestinës në Malmo është gjithashtu një nga shumë organizatat që bashkëpunojnë për të organizuar demonstratat në qytet.
“Ne po planifikojmë dy demonstrata të mëdha paqësore më 9 dhe 11 maj në Malmo. Shpresojmë që shumë njerëz do të vijnë nga Danimarka për të marrë pjesë”, tha Per-Olof Karlsson, një nga organizatorët, për transmetuesin.
I pyetur se pse ndien se ishte e rëndësishme të organizohej një protestë e tillë, ai tha: “Sepse Izraeli duhet të përjashtohet nga Eurovizioni ashtu siç bënë me Rusinë”.
Në solidaritet me palestinezët në Gaza dhe si pjesë e një proteste, një ngjarje muzikore alternative, e quajtur Falastinvision, do të mbahet në ditën e fundit të Eurovizionit më 11 maj në Malmo.
Shumë artistë nga Suedia dhe pjesë të tjera të Evropës do të marrin pjesë për të treguar mbështetjen e tyre për palestinezët.
Autoritetet kanë miratuar masa shtesë sigurie, duke përfshirë policinë me automatikë dhe përforcime nga Danimarka dhe Norvegjia.
Malmo, qyteti i tretë më i madh i Suedisë, ka rreth 360.000 banorë me 186 kombësi, duke përfshirë një popullsi të madhe palestineze dhe muslimane.
Javën e kaluar, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) vendosi të parandalojë garuesit, interpretuesit dhe simpatizantët që të shfaqin flamuj palestinezë dhe simbole propalestineze gjatë konkursit të këngës.
EBU-ja tha se ata që përpiqen të hyjnë në Malmo Arena me flamur palestinez ose flamur që përmban mesazh politik, do të ndalohen dhe flamujt ose pankartat do të hiqen.
Në vitin 2022, Rusia u ndalua nga Eurovizioni i mbajtur në Torino, Itali, pasi Finlanda fqinje kërcënoi të tërhiqte interpretuesin e saj nëse Moska nuk ndalohej për shkak të luftës me Ukrainën.
EBU-ja e pengoi vendin të marrë pjesë në garat e ardhshme.
Islanda u gjobit nga EBU-ja pasi përfaqësuesi i saj në Eurovizion, Hatari, ngriti flamuj palestinezë gjatë paraqitjes së tyre në shfaqjen e mbajtur në Izrael në vitin 2019.
Në dhjetor, bordi i Shoqatës Islandeze të Autorëve dhe Kompozitorëve (FTT) i bëri thirrje publikisht transmetuesit publik të Islandës RUV që të mos marrë pjesë në konkursin e këngës “përveç nëse Izraelit i mohohet pjesëmarrja në konkurs për të njëjtat arsye si Rusisë në konkursin e fundit”.
Massive rally in #Malmo happening right now, protesting Israel’s participation in @Eurovision.
Still 2 more days to go!#BoycottEurovision2024 pic.twitter.com/f7QfraVXPg— Brighton PSC (@BrightonPSC) May 9, 2024